E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirënjohja si institucion

LUÇIANO BOÇI

Në shoqëritë tradicionale, të cilat tentojnë në vazhdimësi një arratisje drejt modernitetit, ende ligje, postulate e institucione të pashkruara prevalojnë dhe tejkalojnë shpesh gjithçka që shoqëria, nëpërmjet mekanizmave, kërkon ti sanksionojë si përpjekje për të vendosur norma e rregulla. Si përcjellës së përvojës më të lartë njerëzore dhe si elemente kontribuuese në triumfin e racës njerëzore, ato karakterizohen nga një forcë morale arketipale, e cila ka shërbyer si rregullatore dhe katalizatore e godinave më të arrira ligjore. Këtu mund të përmendim, ndër të tjera, institucionin e besës, institucionin e nderit apo institucionin e mirënjohjes, si dhe ligjet që i rrethojnë në shfaqjen e tyre. Lidhjet midis tyre janë tepër dinamike dhe me efekte të ndërsjella. Në shumë raste, ligjet më të mira të shkruara i kanë reflektuar këto institucione, ose aspekte të tyre, dhe i kanë ndërfutur brenda kodifikimeve, duke shmangur përplasjet, sigurisht, pa i zëvendësuar dhe pa zbehur forcën vepruese të tyre.
Shpesh shkalla e respektimit të këtyre ligjeve e institucioneve të pashkruara, krahas kërkesës së vazhdueshme për të respektuar ligjet e shkruara, përcakton dhe moralin e një shoqërie dhe të anëtarëve të saj, sikurse fushëveprimi i tyre, prek jo thjesht organizimet e thjeshta sociale, por dhe nivelet si biznesin apo politikën.
Ndër këto institucione, peshë specifike ka pasur dhe ruan Mirënjohja, shprehja e saj, respektimi i realizimit të saj e shumë e shumë rregulla që ndiqen mekanikisht nga të gjithë ne që i nënshtrohemi veprimit ose mosveprimit të saj. Madje, e kundërta e saj, ose mosreflektimi ndaj saj, pra Mosmirënjohja, ndër ne konsiderohet si një ndër krimet më të mëdha dhe njeriu që e mbart kategorizohet, ndër të tjera, edhe i pabesë, negativ, arrivist, shkurt pa moral dhe që nuk duhet ndjekur.
Fokusit të saj nuk mund ti shpëtojnë aspak, sidomos reagimet dhe sjelljet e figurave me ngarkesë politiko-publike, të cilat dhe për këtë shkak rrezikojnë të penalizohen ose të vlerësohen nga publiku (ana morale), krahas paraqitjes së programeve dhe alternativave politike (ana ligjore).
Jo rrallë kemi dëgjuar shembuj klasikë të mosreflektimit ndaj mirënjohjes, më saktë të mosmirënjohjes, si p.sh.: Rama, që Nano e solli nga Parisi, pothuaj e ka përjashtuar këtë të fundit nga PS, të cilën e kishte krijuar vetë. Madje nuk e ftoi as në festën e krijimit, përpos batutave që hedh me libër e pa libër për të, në ambiente ku të qëllojë.
Apo nga të fundit: Islami, që Rama e përjashtoi nga Grupi Parlamentar, njihet si një nga kontribuuesit më të mëdhenj të PS dhe politikës në përgjithësi dhe pothuaj mbështetës i Ramës në momentin e zgjedhjes së këtij në krye të PS. Pa harruar sjelljet e Ramës ndaj Blushit, Malajt etj., që pa përjashtuar ende të jenë hakmarrje, janë pikësëpari mosrespektim i mirënjohjes, pra janë mosmirënjohje.
Për të ardhur te prangosja e mirënjohjes (këtu konflikti ligj i shkruar – ligj i pashkruar është evident), ku Rama ndër ata që përcaktoi për organizimin e shëmtisë së 21 janarit, dorëzoi pa iu dridhur qerpiku, pavarësisht faktit të kryerjes me marrëveshje të një peligrinazhi, tre shokët e tij më të afërt dhe kontribuues të fuqishëm të politikës së tij, sipas parimit një dorë lan tjetrën dhe tri palë lajnë fytyrën e tij.
Pa kaluar aspak në ekstrem, do të shtoja që Rama është aq mosmirënjohës ndaj shqiptarëve, për atë mbështetje që i kanë dhënë, sa ai punoi kaq gjatë dhe me përkushtim për të penguar marrjen e statutit të vendit kandidat.
Dhe ajo që konkludon nga tërë kjo, mund të perifrazohet: mosmirënjohja është njëkohësisht dhe miopi politike. Dëmet e kësaj mungese mirënjohjeje Rama do vazhdojë ti vuajë për një kohë të gjatë.
Rastet e kundërta, ose më saktë të asaj që kërkojmë, pikërisht të shprehjes së mirënjohjes, megjithatë, nuk kanë munguar. Mjafton të sjellim reagimet e kreut të PD, Kryeministrit Berisha, ndaj atyre që kohë pas kohe u vetëshpallën si kundërshtarë të egër të tij. Në sajë të mirënjohjes për gjëra më themelore, ata u rikthyen jo thjesht me statusin e djemve plëngprishës, por si individë me kostume elegante vlerash dhe që sot janë shprehësit më themelorë të politikave më të suksesshme.
Sikurse gjithashtu, mirënjohja ka gjetur shfaqje dhe prezencë në promovimin dhe besimin që u është dhënë figurave të ardhura rishtazi në PD, pa ndonjë përvojë apo rrugëtim politik, por që sot janë suportuar pikërisht me mirënjohje në nivelet më të larta të përfaqësimit. Mirënjohje që, sigurisht, kërkon ekuivalenten e saj, që është rikthimi i saj, me qëllim që mos të bien nën sindromën mosmirënjohësi-Rama.
E gjithë kjo panoramë ka stimuluar një ndjenjë mirënjohje dhe shprehje të saj edhe në nivelet e tjera që prek, si atë ndaj anëtarëve të strukturave, ashtu dhe ndaj votuesve të thjeshtë. Shprehja e saj është sa globale, me realizime idesh e projektesh, me benifice rajonale e kombëtare, po aq dhe e prekshme, e vogël, konkrete, që lidhet me gatishmërinë për tiu përgjigjur dhe gjendur pranë në çdo moment ekzigjencave të votuesve dhe mbështetësve. Ky, në fakt (ekzistenca e mirënjohjes), pa e absolutizuar, pasi ka dhe dritëhijet e veta, është një realitet konkurrues i së djathtës.
Por edhe kjo (e djathta), nuk i ka shpëtuar show-t të kthimit të mirënjohjes me mosmirënjohje. Rasti Ngjela, ose më saktë rasti Çimka, është tipik dhe rrotullimi i tij kontrovers, deri në dalje publike me thirrje për marrje pushteti me dhunë, në krahë të atyre që e përndoqën, e internuan, e dhunuan, kundër atyre që e vlerësuan politikisht, është futur në analet e botë e çuditshme.
E ndjekin nga pas me nota më minore sjelljet e përfaqësuesve të PDK, PBDNJ dhe të ndonjë individi pa peshë specifike politike.
Ndërkohë, ajo që ka zaptuar kronikat e mosmirënjohjes dhe gjykimit moral të kësaj mënyre sjelljeje, është tendenca e individëve (me pak përjashtime) që mirënjohjen e kanë marrë me pashë dhe nuk e kthejnë as me kut, për të krijuar partinë e AK-së.
E nisur në fillim si hatërmbetje dhe e konkretizuar më pas si heshtje institucionale, madje dhe më keq se kaq, më pas, e shprehur si votë kundër dhe si përplasje ligjore, kjo mosmirënjohje shkoi me galop, pa njohur reflektim dhe gjendje qetësie, drejt marrjes formë të një formacioni politik. Për të mbuluar thelbin e tij, ky formacion politik përdori një mantel të papërshkueshëm dhe me vlerë, pikërisht flamurin dhe ndjenjën kombëtare, duke harruar mospërputhjen totale të tyre, pikërisht me mosmirënjohjen, si shtysën themelore të krijimit të vet, kontrast ky që e bën këtë parti, parti pa status moral, e cila më shumë se gjithçka, është përpjekje për shpëtim të karrierave politike të individëve që nuk njohën mirënjohje as ndaj miqve politikë dhe as ndaj shtetit. Si të tillë, të shumëgjykueshme dhe të papërkrahur.
E gjitha kjo të krijon imazhin e përmbysur sikur mosmirënjohja është tashmë virtyti dhe jo vesi. Por, në realitet, tendencat e moralit të shoqërisë reflektojnë me qëndrim votues dhe institucioni i mirënjohjes, si i tillë, mbetet peshorja që përcakton fatin e forcave në fushëbetejën elektorale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›