Mirënjohja, fytyra dhe kulti i individit
Njëri nga virtytet më të vlerësuar të shqiptarit ndër shekuj ka qenë mirënjohja. Si instrument shoqëror, mirënjohja ka shërbyer si ndërlidhëse e marrëdhënieve njerëzore, sepse ka vepruar si vektor moral në politikë, ekonomi e shoqëri. Në këtë kuptim, i.e. kur mirënjohja është në qendër të raporteve njerëzore, ajo kthehet në një institucion apo vlerë universale, e cila eliminon devijimet në këto raporte dhe krijon pritshmëri sjelljeje nga të gjithë aktorët e shoqërisë. Në politikë, mirënjohja shprehet te besnikëria ndaj linjës politike të partisë, e cila prodhon njëtrajtshmëri qëndrimi brendapërbrenda grupit, por edhe i siguron qytetarit pritshmëri konstante mbi veprimet e politikës.
Mirëpo, është në rastin më të mirë naivitet të supozosh se i gjithë diapazoni i marrëdhënieve njerëzore dhe veçanërisht atyre politike mund të përmblidhet te mirënjohja si qëllim në vetvete. Është fakt i gjithëpranuar se marrëdhëniet njerëzore nuk mund të vlerësohen duke u bazuar ekskluzivisht në një postulat të veçuar nga vlerat e tjera njerëzore, sado i rëndësishëm qoftë ai në kontekstin e atyre vlerave. Hulumtimi teorik i raporteve shoqërore është përtej qëllimit të këtij shkrimi, por nuk mund të mohohet se përveç mirënjohjes, shqiptarët kanë vlerësuar në shekuj nderin apo, thënë më popullorshe, fytyrën, si dhe atdhedashurinë apo dëshirën për ti shërbyer kombit pa kërkuar përfitime materiale dhe statusi.
Njëherazi, mungesa e qëndrueshmërisë etike në shoqëri çon paevitueshmërisht në marrëdhënie të bazuara veç në interesa materiale, të cilat zëvendësojnë parimet morale si shtylla të raporteve ndërnjerëzore. Ky lloj konceptimi i deformuar nuk i shërben ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë me norma të qarta. Si rrjedhojë, edhe mirënjohja politike nuk mund të konceptohet si besnikëri qorre ndaj një grupi njerëzish apo kryetarit në këmbim të favoreve materiale, por duhet të bazohet në një marrëdhënie ku palët të krijojnë qëndrueshmëri veprimesh si në kontekst ideologjik dhe etik.
Përndryshe, mirënjohja e marrë si shabllon katundar i trashëguar nga periudha otomane do të na çonte në fenomenin që njihet gjerësisht si dumbabizëm. Haxhi Qamili dhe mbështetësit e tij kishin si ideologji mirënjohjen ndaj dovletit dhe privilegjet që vinin prej tij, Enver Hoxhës i shprehnin mirënjohje edhe ata që po i dërgonte ai vetë përpara plumbit, dhe sipas gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë, mbizotërimi i kultit të individit vazhdon të mbetet problem kyç në politikën shqiptare aktuale. Thënë shkurt, interpretimi i ngushtë dhe sektar i konceptit të mirënjohjes si i pavarur nga një bashkësi vlerash të bashkëngjitura si drejtësia, fjala, nderi, atdhedashuria etj., është thjeshtëzues dhe tregues i një mendësie, e cila nuk lejon zhvillim demokratik apo përparim shoqëror.
Në dy aspekte, ky lloj shtrembërimi i qëllimshëm i konceptit të mirënjohjes i shërben politikës aktuale për të sunduar pa përgjegjshmëri hapësirën publike dhe për ti garantuar vetes pushtetin.
Së pari, mirënjohja e interpretuar si vlerë e veçuar nga bashkësia e vlerave universale shërben si instrument pragmatik kontrolli për udhëheqësit politikë ndaj anëtarëve të partisë, shtypit apo kundërshtarëve potencialë të brendshëm. Kësisoj, çdokush që kundërshton vijën e udhëheqësit fillimisht mënjanohet, e nëse guxon të vazhdojë ti shprehë mendimet e tij, largohet nga strukturat apo deri edhe përjashtohet si mosmirënjohës. Rastet e fundit të përjashtimit të Kastriot Islamit nga PS-ja e re dhe kthesa në qëndrime e PD-së ndaj tradhtarit Topi, janë vetëm treguesit e fundit të kësaj mendësie sunduese në politikën shqiptare. Dua të theksoj se këtu nuk bëhet fjalë për meritat e argumenteve përkatëse të udhëheqësve politikë kundër ish-kanakarëve të tyre, por për mënyrën se si kryhet anatemimi i tyre duke i shpallur armiq. Nga pikëpamja etike, duket e pamundur për një qytetar me kompas të qëndrueshëm moral që i njëjti person që gëzonte besimin për të shkruar programin e një partie shpallet i padëshirueshëm për partinë, apo që një nënkryetar dhjetëvjeçar i promovuar deri në zgrip institucional për President të shndërrohet në armik të majtë mosmirënjohës dhe horr bulevardi. Nëse Islami dhe Topi janë kaq të pamoralshëm, çfarë mesazhi kanë dhënë udhëheqësit politikë kur i mbështesnin për poste kyçe partiake dhe shtetërore? Nuk duhet harruar se promovimi i një kategorie njerëzish moralisht të farkëtueshëm nuk është risi, por një nga mbetjet më kokëforta të sistemit diktatorial komunist, me anë të së cilës bëhet më i lehtë kontrolli i pushtetit.
Aspekti i dytë i përdorimit imoral të mirënjohjes është mungesa e qëndrueshmërisë si në përkufizimin e konceptit, ashtu edhe në përdorimin e tij. Për politikën shqiptare hiperpragmtiste nuk ka asnjë vlerë absolute në kuptimin Kantian dhe mirënjohja nuk bën përjashtim nga ky rregull.
Për shembull, ndërsa Topi me partinë e tij të re quhet mosmirënjohës sepse i rrezikon shumicës numrat e pushtetit, Berisha nuk sheh asnjë lloj problemi moral te aleanca me Metën e as te ripranimi në 2005-n i Pollos (përsëri për hir të numrave të pushtetit) e madje nuk përjashton as një rikthim aktual të Ndokës. Sakaq, Rama nuk ngurron të etiketojë armiq këdo që i del përpara në rrugën drejt karriges kryeministrore, pavarësisht kontributeve për forcën që ai drejton, por as ti ripranojë kur nuk ka rrugëdalje tjetër. Ulje-ngritjet me Meidanin, Majkon, Malajn, Islamin, Blushin, Metën dhe së fundi edhe me Nanon, tregojnë se edhe veprimi i kryesocialistit nuk drejtohet nga një kompas moral, por nga interesa të momentit. Pra, të dyja palët preferojnë lojën brenda kulisave si rruga më e shkurtër drejt pushtetit, pa u kujdesur për njëtrajtshmërinë morale të veprimit të tyre politik.
Pyetja që shtrohet është: cili është perceptimi i shqiptarëve për konceptin e mirënjohjes? Në dukje, shoqëria shqiptare është aq e topitur nga zhurma mediatike që prodhon politika, sa që e ka pranuar përkufizimin ruralo-otoman të mirënjohjes si vula finale e besnikërisë ndaj liderit. Kjo shfaqet në shprehi katundare të tipit mos e kafsho dorën që të ushqen apo qengji i butë pi nga dy nëna, të cilat do ti shkonin përshtat mesjetës e jo shekullit të teknologjisë në të cilin jetojmë.
Mirëpo, ndryshe nga koha e diktaturës së Enver Hoxhës, sot shqiptarët kanë mundësi të njihen me realitete përtej atij që jetojnë dhe të informohen mbi zhvillimet shoqërore nëpër botë. Si rrjedhojë, përtej topitjes sipërfaqësore gjykoj se është rritur zhgënjimi i tyre me idhujt përkatës, është rizgjuar ndjesia e nevojës për një shoqëri me norma të qarta morale dhe për një rivendosje të vektorit etik kombëtar në sferën publike.
Kjo vjen jo vetëm si nevojë gjenuine njerëzore, por edhe sepse sistemi hiperpragmatik i bazuar mbi koncepte gjysmake po dështon. Sistemi aktual politik nuk ka lejuar pastrimin e politikës dhe vendosjen e sistemit në shërbim të publikut. Sikundër ky sistem nuk rivuri në vend dinjitetin e qindra e mijërave të persekutuarve nga regjimi komunist, duke dënuar komunizmin si sistem, por vuri shenjën e barazisë midis xhelatëve dhe viktimave me parimin bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës. Madje, tani kjo shtresë e shumëvuajtur duhet të pranojë me një buzëqeshje të hidhur edhe ofertat e ish-xhelatëve, të cilët për të fituar pushtetin janë gati tu premtojnë kotheren e bukës. Ky sistem jo vetëm që nuk nxori nga loja kriminelët e vjetër komunistë, por i ricikloi ata dhe krijoi një sistem politik tërësisht të kontrolluar nga levat e vjetra dhe aparatçikët arrivistë, i cili pengon çdo tentativë vetëpastrimi të shoqërisë. Ky sistem jo vetëm që nuk krijoi një model ekonomik dhe etik të ndryshëm nga diktatura çnjerëzore e Enver Hoxhës, por riprodhoi një model klasor të ngjashëm, këtë herë të bazuar në babëzinë materiale dhe etjen për pushtet. Mos
