E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ti qash hallin kalorësit

LEONARD OLLI

Çarja më tresh e PD-së është një fakt që e ka çoroditur ende më keq qeverinë dhe komunikimin me publikun të shumicës së mbetur në qeveri. Lufta vëllavrasëse në kampin e djathtë sapo ka nisur.  Kështu fillon një analizë e liderit socialist Rama lidhur me mundësinë e zhvillimeve në politikën shqiptare, si zakonisht në rrjetin social të preferuar, me titull Tri PD në rrugën e humbur djathtas. I njëjti opinion, edhe pse në shfaqje të ndryshme, është trajtuar edhe nga disa analistë politikë pranë së majtës, duke i mëshuar faktit se kjo ndarje më tresh e PD-së ul ndjeshëm mundësinë për një fitore të tretë radhazi në zgjedhjet e përgjithshme.
Çdokush ka të drejtën të marrë në analizë zhvillimet politike, madje qoftë ky edhe lideri i opozitës. Në fakt, ajo që të habit më shumë është kahu. Në vend që të marrë në analizë punën e qeverisë, performancën e saj apo problematika që burojnë nga puna e saj apo se si do të zgjidhen këto probleme në një qeveri të drejtuar prej tij, lideri opozitar analizon zhvillime të mundshme politike në gjirin e saj. Për më tepër, ai tenton të krijojë një hipotezë të re, e cila, sipas mendimit tim modest, ngrihet totalisht mbi baza ireale. Duket sikur z. Rama më shumë ka dashur të impresionojë, sesa të shohë realitetin në sy. Për këdo që ndjek nga afër jetën politike në vend, është e lehtë të konstatojë se që në krye të radhës ka një lapsus, për të mos thënë gafë. PD po ndahet më tresh, por për kë PD behët fjalë? Lufta civile apo vëllavrasëse, sikundër preferon të cilësojë lideri i PS-së sapo ka nisur. Shumëkush e humbet fillin pas këtij konkluzioni, i cili ngjason më shumë me titujt bombastikë që tentojnë ndonjëherë disa të përditshme, se me skenarë realë. Por, le të shmangim komentet dhe të analizojmë argumentet ku lideri socialist bazon hipotezën e tij.
Pra, përtej PD-së, që të gjithë dimë, me kryetar z. Sali Berisha, për z. Rama PD është edhe Presidenti Topi, PD është edhe Kreshnik Spahiu. Është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur ta kuptosh këtë fakt. Presidenti aktual, qoftë edhe formalisht, pushoi se qeni pjesë apo anëtar i PD-së qysh prej vitit 2007, kur edhe mori detyrën e Presidentit. Përtej detyrave dhe pozicioneve të larta partiake, është shumë ta njehsosh atë me PD-në. Por, edhe pse tejet e ekzagjeruar nëse lidhja e Bamir Topit me PD ka një origjinë të mundshme logjike, PD-ja e tretë, pra Kreshnik Spahiu, jo vetëm lidhje të mundshme logjike ska, por as në fantazitë më të zhvilluara hollivudiane nuk mund të kishte vend. Është shumë për të qeshur vetëm të mendosh se këto dy PD, përpos faktit që as kanë qenë, as janë dhe as mund të jenë PD, për më tepër të kenë humbur dhe rrugën djathtas. E përderisa këto grupime nuk janë pjesë e së tërës, ku dhe prej cilëve do të kemi luftë vëllavrasëse?!
Por, sigurisht që z. Rama nuk i beson as vetë këto që shkruan. Lehtësisht në shkrimin e tij mund të kuptosh dy qëllime kryesore. Së pari, konstaton përpjekjen për një diversion mbi pasojat e mundshme që mund të ketë roli i partive të reja, nëse do të krijohen.
Kjo, pasi në analizë Rama thekson faktin se këto dy parti do të hyjnë në hisen e së djathtës dhe nuk prekin aspak elektoratin e majtë. Kjo duket qartë kur ai shkruan: Bamir Topi ka lidhje me Partinë Socialiste aq sa çka lidhje vetë Saliu. Ndërkohë që për Aleancën shprehet: Nënkryetari i KLD u rebelua politikisht jo sepse ka ndonjë fije që e lidh me opozitën e sotme e aq më pak me Partinë Socialiste, po sepse si shumëkush në Partinë e vjetër Demokratike e gjeti veten jashtë rrethit të stërngushtuar të interesave të oborrit familjar e klanor të Saliut. Por edhe këtu, me apo dashje, sërish z. Rama gabon. Kreshnik Spahiu nuk ka qenë asnjëherë pjesë, anëtar apo aktivist i Partisë Demokratike. Të gëzosh mbështetjen apo besimin e një force politike nuk do të thotë të jesh pjesë e saj, e për më tepër të jesh ajo vetë.
Ndërsa qëllimi i dytë, lidhet me përpjekjet e tij për ta bindur elektoratin e tij se analizat e ndryshme që lidhin këto dy parti të me PS-në janë të pavenda dhe të pamundshme. Madje, z. Rama përpiqet të jetë i distancuar shumë qartë kur shkruan: Sbëj në këtë pikë asnjë aluzion negativ për motivet e rebelimit të tij (Kreshnik Spahiu*), kjo sështë në metodën time të gjykimit. Por thjesht nënvizoj se Aleanca Kuq e Zi as ka ndonjë lidhje me Partinë Socialiste, as përbën një stacion ku duhet të ndalojë cilido shqiptar që zemrën e ka majtas dhe nuk do të luajë me votën e vet bixhozin që shumëkush luajti në vitin 2009 duke e hedhur atë jashtë kutisë së koalicionit të Partisë Socialiste.
Është lehtësisht e lexueshme se marrja në analizë e së djathtës dhe zhvillimeve brenda saj më shumë lidhet me PS-në, elektoratin dhe aleatët e saj. Përtej diversionit, në këtë shkrim konstaton një përpjekje të qartë apologjie nga ana e liderit socialist dhe futjen në eficiencë të devizës së vjetër: Armiku i armikut tim është miku im. Madje, në funksion të kësaj ai nuk tutet të theksojë: … që mund të mos e kenë bërë Presidentin e Republikës të duket një dorëzanë i Saliut në krye të shtetit, sepse e vërteta është se ska qenë asnjë ditë i tillë, por që pa pikën e dyshimit e kanë përcaktuar Presidencën e tij si një Presidencë të orientuar nga vizioni dhe nga përkatësia djathtas e Bamir Topit. Të cilën edhe kur ishte në nënkrye të PD-së, e ka shfaqur gjithnjë me një ton e me një sjellje tjetër nga e përgjithshmja, por pa dalë asnjëherë si i përveçëm. Kaq e vërtetë është kjo e fizionomisë së djathtë të Presidencës së tij, sa edhe meraqet e pakta politike që ai ka shprehur si President, duke stonuar me korin e PD-së, kanë qenë vijueshmërisht meraqe të një politikani të djathtë. Bamir Topi asnjëherë se ka fshehur as si President se angazhimi i tij politik ka në fokus pronarët, të përndjekurit e regjimit komunist dhe në përgjithësi vlerat e pikëpamjet e asaj pjese të shoqërisë që zemrën e ka djathtas. Mjaftojnë këto rreshta për të kuptuar se ku rreh çekani i liderit socialist. Dhe, në vetvete, ky pohim përbën një autogol apo hedh dritë mbi aspektin spekulativ të shkrimit. Në mungesë të alternativave tentohet përçarja e kundërshtarit.
E nëse dikush do të hidhte idenë se ka një përpjekje të sinqertë të z. Rama për të ndihmuar të djathtën dhe të djathtët të gjejnë udhën e tyre, kjo do të ishte e barasvlershme me fjalën e urtë:  Ti qash hallin kalorësit që kalëron se i varen këmbët jashtë yzengjive, ndërkohë që të tjerët ecin më këmbë…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›