E Shtunë, 31 Tetor 2026

Relativizmi moral dhe kriza e etikës personale

Gezim Tushi

 Problemet e jetës morale janë bërë shqetësim  i madh social për shoqërinë tonë. Ato janë bërë të forta, dominante dhe të vështira sidomos tani, kur pasi kanë ndodhur shumë ndryshime thelbësore politike dhe ekonomike e kanë vënë shoqërinë tonë përballë sfidave morale që janë të natyrshme të ndodhin, të mos kuptohen dhe të keqinterpretohen në fazën e tanishme. Që sipas meje është e ndërlikuar moralisht për shoqërinë dhe ndërtimin e sjelljeve adekuate të njeriut nga që është faza e parë të post tranzicionit. Kjo është arsyeja pse problemet e jetës morale të shoqërisë tonë në këtë moment janë kaq shqetësuese dhe intensive, të komplikuara dhe anarkike, të shoqëruara dukshëm me efekte morale degraduese, të cilat në ditët tona janë fenomene massive me efekte sociale dhe morale jo vetëm shumë të mëdha, por dhe qartësisht të dukshme. Në se kemi shumë vështirësi sociale dhe personale të orientimit qytetar në këtë kohë të turbulencave morale, sipas mendimit tim, pjesa më e madhe e tyre është e lidhur me procesin masiv të dobësimit të dukshëm dhe nënvlerësimit të skajshëm të nevojës për të patur në qarkullim qytetar sistemin e vlerave dhe ekzistencën e piketave morale të referimit të jetës normale me staturë qytetare.

Mungesa e tyre dhe qëndrimi materialist dhe amoral janë kthyer në kundërvlera, të cilat realisht kanë vënë në vështirësi serioze shoqërinë, ndërtimin e karakterit të njeriut si qytetar, duke dobësuar në mënyrë të skajshme aftësitë e orientimit të qartë human dhe social të tij. Nuk është e lehtë për shoqërinë shqiptare dhe njerëzit tanë që fati historic I ka vënë përballë sfidës së hapur të nevojës urgjente të orientimit të qëndrueshëm në kohën e mënyrës relativiste të të jetuarit që është tipike për periudhat historike të tranzicionit moral sic është koha që po jetojmë. Sepse të jetosh në një kohë kur nuk di si të sillesh dhe nga tia mbash, të mos kesh të qartë se cfarë është e mirë dhe cila është e keqe, kjo situatë objektivisht relativiste dhe e relativizuar moralisht, është determinante dhe e bën njeriun që në një farë mënyre të jetë i shqetësuar me shoqërinë e tij, i paqartë me veten dhe me normat e sjelljes që duhen adoptuar. Kjo është arsyeja pse jemi të gjithë të tronditur me ato fenomene sociale dhe dukuri të sjelljes personale që përditë shqetësojnë jetën tonë sociale dhe ekzistencën normale të shoqërisë tonë në tërësi. Kjo është arsyeja pse njerëzit tanë duket se po sillen shpesh herë në mënyra moralisht të pakuptueshme.

Natyrisht, për të bërë atë që duhet dhe jo atë që duam së pari duhet të kuptojmë dhe të pranojmë jo me fatalizëm faktin që ne jemi të detyruar që të kalojmë nëpër shtigjet e ngushta morale që janë pasojë e natyrshme e situates së vecantë të tranzicionit moral. Që natyrshëm është e shoqëruar jo vetëm në shoqërinë tonë, por në të gjitha shoqëritë që janë në këtë etapë sociale, me shumë prirje morale anarkiste dhe paqartësi sociale, që kanë ndikim në tipologjinë e sjelljes kaotike dhe personalitetit të paqartë moralisht të cdo njeriu.

Sepse është e vërtetuar, është ligj universal i cdo kohe, që kur bien dogmat me të cilat është ndërtuar jeta dhe morali i një shoqërie për një kohë të gjatë, patjetër që vjen natyrshëm pasoja që të krijon iluzionin se pas saj vjen një kohë amoraliteti dhe kjo është arsyeja pse rëzohet cdo system vlere dhe të duket sikur shoqëria për një kohë mbetet shkretëtirë e vërtetë morale. Kjo situatë është tani duke kaluar në shoqërinë shqiptare. Ajo shfaqet në kakofoninë që është krijuar dy dekadat e fundit, kur nuk kuptohet mirë se se cfarë lidhje duhet të ketë morali personal i njeriut si individ në kushtet e përshtypjes se shoqëria në tërësi është duke përjetuar një amoralitet social të gjërë, në të cilin është vështirë të ndërtosh sistem vlerash apo të ndërtosh rregulla të sjelljes së përbashkët, aftësitë e duhura të njeriut për komportim social.

Nuk ka dyshim që duhet ta vlerësojmë më mirë faktin që shoqëria jonë është në fazën më delikate të tranzicionit moral, kur gjërat duken të paqarta, të turbulluara. Kjo është arsye madhore dhe me ndikime sociale të fuqishme që e ka bërë të vështirë procesin e kuptimit të natyrshëm dhe interpretimin dialektik të procesit të ndërlikuar të kalimit të shoqërisë shqiptare, nga shoqëri e mësuar me determinizmin moral si vlerë  e përgjithshme me natyrë dogmatike, drejt vlerave të vërteta morale e qytetare dhe rifillimit të kalimit nga ndërtimi i moralit të madh social në rrugën e natyrshme të ndërtimit të moralit personal si vlerë qytetare dhe e personalizuar.

Natyrisht, në këtë process të modernizimit moral të jetës sociale ne nuk na ndihmon, përkundrazi seriozisht na pengon shkretëtira morale e së kaluarës vlerat e vogla të së cilës është vështirë ti hyjnë në punë kohës, shoqërisë dhe moralit të njeriut modern. Ndërsa antivlerat e saj janë të konsiderueshme dhe pengesë serioze në rrugën e modernizimit moral të shoqërisë dhe të ndërtimit të moralit të vërtetë human dhe qytetar. Sepse vijmë nga një shoqëri që përjetoi jetën gjysëm shekulli moralisht të ndërtuar sipas parimeve deterministe të moralit drejtvizor dhe të ndikimit absolut të saj mbi natyrën e njeriut me anë të parimeve fosile të formimit të tij si qënie sociale e vënë në funksion të të tjerëve por kurrë të vetes, duke e trajtuar atë si qënie pa finalitet personal dhe identitet individual, pa përjetime të vërteta të dëshirave dhe kuptimit të përvecëm të ekzistencës së individualitetit dhe vlerësimit të natyrës së papërsëritshme të ndjenjës së subjektivitetit. Këto janë arsye të mëdha që në një farë mënyre jo vetëm e shpjegojnë situatën morale që përjetojmë por dhe e bëjnë të shpjegueshme dhe të argumentuar që doemos që shoqëria jonë do të ndodhej tani në këtë situatë të paqartë dhe kaotike që përjetojmë. Në të cilën akoma në një masë të caktuar është vështirë të sigurohet ndikimi i natyrshëm i mekanizmave modernë të aftësive të njeriut, për të rindërtuar në baza të reja dhe sipas parimeve humane të modernitetit aftësitë për të ndërtuar socialitetin moral, si mënyrë individualiste e lidhjes me të tjerët, dhe të sociabilitetin individual si mjet modern i të bashkëjetuarit në shoqëri me parime të reja sociale dhe morale. Kjo është arsyeja pse tani jemi në gjëndje të amullisë morale, kur sic duket është e vështirë të ketë dhe të gjenden sisteme morale referimi dhe vlerash, që janë kushti thelbësor që nga njëra anë njeriu të mund të rregullojë sjelljen sociale, por që dhe shoqëria shqiptare nga ana e saj të bëjë edhe vlerësimet e duhura të tipologjive të larmishme dhe mënyrave pa fund të diversifikuara të sjelljes individuale.

Në shumë ambiente sociale, madje edhe në vende ku njeriu ndërton relacionet e veta publike, duket fare hapur forca e konceptit që nuk pranon ekzistencën në vetvete të koncepteve themelore morale të së mirës dhe të keqes, që edhe tani duhet të shërbejnë si mjet kryesor racional dhe intuitive moral, për të ndihmuar ndërtimin e paradigmës morale që ndihmon shoqërinë dhe njeriun në vështirësitë e tranzicionit moral për të ndarë vlerën nga antivlera morale. Padyshim nuk është normale që në shoqërinë tonë shumë herë në emër dhe nën justifikimin e vlerave të pragmatizmit, utilitarizmit dhe realizmit me cdo kusht të tyre, si vlera themelore të shoqërisë moderne, e cila e bazuar në ekonominë e tregut të lirë ka venë në themelin e vet garën, suksesin dhe fitimin personal, të bëhet sunduese vetëm prirja e shfaqur qartë në shoqërisë tonë, si tendencë dominante dhe sjellje individuale frenetike për tu larguar, madje për të braktisur idenë, se në shoqërinë shqiptare në kohën e liberalizimit dhe individualizimit të jetës, duhet të ketë edhe ca vlera impersonale të qëndrueshme, të tilla si humanizmi, drejtësia, solidariteti, moraliteti i sjelljes dhe e orientimi nga e vërteta.

Padyshim koha modern është kohë e një rrugëtimi të gjatë të relativizmit moral, që duhet pranuar në shoqërinë tonë si mënyrë sjelljeje për të identifikuar individualitetin e njeriut, si kusht për ekzistencën e natyrshme të ndërtimit të mënyr

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›