Mirënjohje SHBA-së dhe BE-së, për bisedimet teknike

Kryeministri Berisha priti sot në një takim, Zëvendëskryeministren e Kosovës, Edita Tahiri, e cila është dhe kryetare e delegacionit kosovar që merr pjesë në bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila diskuton për çështjet teknike të bashkëpunimit në Bruksel.
Në takim u rikonfirmua qëndrimi i prerë dhe paekuivok se këto janë vetëm bisedime teknike që kanë të bëjnë me çështje të jetesës së përditshme së qytetarëve të këtyre dy vendeve, të pavarura e sovrane, përkatësisht Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe nuk bëhet fjalë, në asnjë rast, për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin apo ndryshim të kufijve. Në këtë kontekst u theksua se ekzistojnë shumë Mitrovica në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe çdo lloj aludimi apo ideje për rikonfigurim të kufijve ndërkombëtare nuk i shërben stabilitet, sigurisë dhe paqes në rajon.
Në takim u shpreh edhe njëherë mirënjohja për SHBA-të dhe BE, për mbështetjen që po i japin këtyre bisedimeve teknike, si dhe u vlerësua fakti që sot Kosova është jo vetëm një ndër vendet më të sigurta, me treguesit ndër më të ulët të kriminalitetit në rajon dhe në Evropë, por është shndërruar qartësisht në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti, sigurie dhe promovimi të bashkëpunimit dhe të miqësisë në rajon.