E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirënjohje për NATO, 13 vjet pas bombardimeve

UPDATE- Qeveria shqiptare ka përkujtuar 13 vjetorin  i fillimit të ofensivës ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë nga Sllobodan Millosheviç.

Kjo ditë shënon shndërrimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, në çështje madhore të aleancës së kombeve të lira, Aleancës së Atlantikut të Veriut.- thuhet në deklaratëne  qeverisë.

Këto sulme, të kombinuara me qëndresën heroike të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në terren, bënë që, në një afat kohor relativisht të shkurtër, Sadami i Ballkanit të firmosë kapitullimin dhe të marrë fund regjimi i tij kolonial në Kosovë, vazhdon deklarate.

Qeveria shqiptare ka shprehur mirënjohjen e saj më të thellë ndaj Presidentit të SHBA-ve Bill Clinton, që udhëhoqi Aleancën në betejën për çlirimin e Kosovës, udhëheqësit politikë të asaj kohe dhe forcave ushtarake të NATO-s, për rolin e tyre vendimtar në çlirimin e Kosovës.

Gjithashtu, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shprehur mirënjohjen e tij për miqtë e shqiptarëve, presidentin e SHBA-së, Bill Klinton dhe ish kryeministrin britanik, Toni Bler.

Sot 13 vjet me pare NATO nisi rrezimin e Kasapit te Beogradit e hapjen e rruges per Kosoven e lire. Mirenjohje sidomos miqve Clinton &Blair- shkruan Rama në Tëitter,

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se përvjetori i 13-të i intervenimit të NATO-s në Kosovë për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, e ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë, në kohën kur popullsia shpërngulej me dhunë, kur kanosej të kryhet gjenocid mbi një popull të tërë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një fjalim të mbajtur për nder të këtij përvjetori, ka thënë se fushata e NATO-s mbi caqet serbe kishte rëndësi më të thellë se të intervenimit humanitar dhe të stabilitetit rajonal.

Nga përmasat e krimit të kryer në Kosovë dhe të shpërnguljes së një milion banorëve të saj, u tronditën Uashingtoni e Brukseli, Parisi, Londra, Boni dhe Roma. Ndërgjegjja e botës demokratike, besnike ndaj parimeve themelore të së drejtës për liri, barazi, dinjitet, paqe dhe demokraci,  reagoi në mbrojtje të Kosovës. Është meritë e qendrave të demokracisë botërore, që mekanizmin më të fuqishëm ushtarak të globit, Aleancën Veri-Atlantike, NATO-n, e vunë në lëvizje për ta mbrojtur popullatën e Kosovës, ka thënë ndër të tjera, kryeministri Hashim Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›