Tiranë, arrestohen katër shtetas për falsifikim
TIRANE- Katër persona kanë rënë në pranga e policisë nën akuzën për falsifikim të pasaportave dhe vizave, vulave, stampave dhe formularëve. Arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit Aplikantaj, ku sipas policisë janë arrestuar shtetasit; Luan Brahim Tetaj, 40 vjeç, Qendrim Qamil Beqaj, 22 vjeç, Fatlinda Luan Tetaj, 18 vjeç, Pranvera Isuf Lika, 62 vjeç.
Në njoftimin e policisë thuhet se këto shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë organizuar mënyrën e aplikimit për të tentuar me synim paisjen me çertifikatë personale dhe familjare të shtetases Fatlinda Tetaj me gjeneralitetet e shtetases Tatjana Matraku, e cila më pas do të posedonte pasaportën biometrike me këto gjeneralitete dhe fotografinë e saj.
Gjatë hetimit mbi këto shtetas, dyshohet se duke përdorur gjeneralitetet e një shtetasi me banim në Tiranë, kanë aplikuar për prodhim pasaporte biometrike edhe për disa shtetas të tjerë kosovarë, kundrejt pagesës prej 2000 Euro për një pasaportë, por nga verifikimet e dokumentacionit nga punonjësit e policisë në komisariat nuk është bërë e mundur përpilimi i mëtejshëm i proçedurës dhe prodhimit të pasaportës.
Nëpërmjet një konference për shtyp policia njoftoi edhe për disa aksione të tjera, ku në kuadër të operacionit BIXHOZI është bërë e mundur bllokimi dhe sekuestrimi i 40 makinerive te lojrave e fatit te cilat jane te pa rregjistruara dhe te pa liçensuara per zhvillimin e ketij aktiviteti.
Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe disa të rinj, mbi të cilët rëndon akuza e vjedhjes.