E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mis Shqipëria 2009” Vajzat në start

06/06/2009  Më shumë se 40 pretendente në ditën e parë të seleksionimit

Më shumë se 40 bukuroshe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë paraqitur dje, në ditën e parë të seleksionimit të vajzave që do të marrin pjesë në edicionin e këtij viti të “Mis Shqipëria 2009”. Ka shënuar kështu starti i këtij konkursi bukurie të organizuar nga producenti Petri Bozo. Ai dhe stafi i tij kanë pritur vajzat e para. Faza e seleksionimit ka filluar në orën 11:00 të paradites dhe ka zgjatur deri në orën 20:00 të mbrëmjes dhe gjatë gjithë ditës janë regjistruar bukuroshe të ardhura nga shumë qytete, që nga Shkodra deri në Sarandë. Përzgjedhja e vajzave këtë vit është konceptuar si një testim, gjatë të cilit vajzat i përgjigjen dy pyetësorëve të ndryshëm. I pari i përket fazës fillestare të prezantimit, ndërsa i dyti gjatë parakalimit të tyre me bikini. Pretendentet për konkurrente gjatë kësaj kohe janë intervistuar nga Bozo dhe asistentët e tij në prani të kamerës, me qëllim që secila prej tyre të parapërgatitet për fazën pasardhëse. Thënë ndryshe, të zhvishen nga emocionet e përballjes me kamerat dhe aparatet fotografikë, apo me përballjen me publikun.

Ajo që të bie në sy këtë vit është numri i madh i regjistrimeve të atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë konkurs në faqen zyrtare të “Deliart Assocation” në internet. Përzgjedhja e më të bukurave që do të bëjnë pjesë në garën e këtij viti do të vazhdojë në të njëjtin orar edhe për dy ditë të tjera - sot dhe nesër.

“Nga të gjitha prurjet dhe regjistrimet që kanë ardhur pranë zyrave të ‘Deliart’, mendojmë se do të ketë një pjesëmarrje dhe një numër të madh të vajzave në këtë evenimet”, - thotë producenti Petri Bozo”. Sipas tij, ajo që bie më shumë në sy është rritja e interesit për këtë eveniment (të vetëm dhe të rëndësishëm të bukurisë femërore) gjatë këtyre viteve të fundit nga vajzat shqiptare që jetojnë jo vetëm brenda kufijve, por dhe të atyre që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Ndërkaq, pas fazës së seleksionimit “Mis Shqipëria” do të hyjë në vazhdën tradicionale të saj: vajzat e përzgjedhura do të shtegtojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, vende historike dhe turistike të saj. Siç dihet, tashmë “Mis Shqipëria” është një eveniment shtegtues, që ka lidhje shumë të saktë midis monumenteve të trashëgimisë kulturore shqiptare me bukurinë e vendit tonë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›