E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel Platini viziton sot vendin tonë si President i UEFA-s

Tiranë (Start)- Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, do të bëjë sot një vizitë zyrtare në vendin tonë. Vizita e sotme është e katërta për kreun më të lartë të futbollit europian në vendin tonë, por e para me këtë status.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë ai do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topin, dhe ministrin Pango. Në qendër të këtyre takimeve do të jenë mosmarrëveshjet e para disa kohëve ndërmjet FSHF-së dhe qeverisë shqiptare, mosmarrëveshje që sollën edhe pezullimin e Shqipërisë në veprimtaritë ndërkombëtare për rreth dy muaj.

Platini do të mbajë fjalimin hapës në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë vizitë ai do të bëjë një tjetër përurim të ambjenteve të rikonstruktuara, atë të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës.

Herën e fundit Mishel Platini e vizitoi Shqipërinë në kuadër të fushatës së tij për zgjedhjet për Presidentin e UEFA-s. Platini njihet për mbështetjen reciproke që ka me presidentin e FSHF-së, Armand Dukën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›