E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mision i pamundur

Prishtinë, 20 nëntor Të shtunën në Ferizaj skuadra e Kastriotit, në konkurrencën e meshkujve, do ta luajë ndeshjen e kthimit ndaj ekipit të famshëm gjerman VfL Gummersbach, në kuadër të rrethit të tretë të Cup Winners Cup (kupës së fituesve të kupave të Evropës).

Në ndeshjen e parë të zhvilluar para një jave në Gjermani, Kastrioti ka pësuar humbje të thellë me rezultat 48:22. Me këtë disfatë, Kastrioti thuajse veç është eliminuar nga kjo garë, pasi do ta ketë jashtëzakonisht vështirë që të shtunën ta përmbysë këtë disavantazh.

Për këtë është i vetëdijshëm edhe kryetrajneri i klubit ferizajas, Fatmir Syla, i cili pohoi se ekipi i tij në këtë takim do të hyjë vetëm për të treguar paraqitje sa më të mirë.

Është shumë e vështirë të përmbyset ai rezultat nga ndeshja e parë kur dihet çfarë ekipi kemi përballë. Gummersbach është kampion i dhjetëfishtë i Gjermanisë dhe pesë herë ka fituar tituj në kupat evropiane. Më së miri e tregon ky fakt se çfarë skuadre të fortë kemi punë, ka deklaruar Syla për Express.

Megjithatë, ne nuk jemi të dorëzuar. Do të mundohemi të tregojmë lojë sa më të mirë. Nuk kemi mungesa dhe nga të gjithë hendbollistët pres paraqitje sa më të mirë. Është e tepërt të themi se kërkojmë rezultat pozitiv, por duam ti kënaqim shikuesit ferizajas. Gummersbach në hendboll është sikur Barcelona në futboll, theksoi ai.

Klubi gjerman të premten veç ka aterruar në Kosovë për tu përballur me Kastriotin. Trajneri i VfL Gummersbach, Sead Hasanefendic, beson se ekipi i tij nuk do ta ketë problem kualifikimin.

Ne kemi respekt për Kastriotin dhe publikun i cili do të jetë i pranishëm në sallë. Ne do të aplikojmë një lojë të mirë dhe të disiplinuar. Kundër Kastriotit do të luajmë sikur ndaj ekipeve të kampionatit tonë, ka thënë trajneri boshnjak i VfL Gummersbach për ueb faqen zyrtare të këtij klubi.

Takimi ndërmjet Kastriotit dhe Gummersbach zhvillohet në palestrën sportive Bill Clinton në Ferizaj nga ora 19:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›