E Diel, 1 Nëntor 2026

Misioni i EULEX, Marnjak mbaron mandatin në qershor

Shefi i EULEX, Ksavier De Marnjak, bëri të ditur se do të përfundojë mandatin e tij si udhëheqës i këtij misioni më 15 qershor të këtij viti, kur për misionin evropian pritet të nisë “një fazë e re”.

Në një njoftim për media, ai njoftoi se edhe përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, të jetë “pajtuar” që pas aprovimit të rishikimit të fundit strategjik të misionit, Marnjak të mos jetë më në krye të misionit.

“Ishte nder i madh të përfaqësoj Bashkimin Evropian dhe të udhëheq që nga viti 2010 misionin e tij më të madh dhe më kompleks të Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje”, citohet në kumtesën e EULEX, shefi i misionit.

“Viti i kaluar ka qenë vërtetë sfidues, por gjithashtu ka treguar që EULEX-i ishte në gjendje t`i përshtatej kësaj sfide. Ndërkohë, ka treguar që Kosova është në rrugën e duhur, përderisa institucionet dhe shoqëria e saj vazhdojnë t`i aspirojnë parimet dhe vlerat të cilat i përkrah BE”, tha Marnjak, i cili mori detyrën në vitin 2010.

Ai u zotua për shtyrjen përpara të axhendës së sundimit të ligjit gjatë pjesës së mbetur të qëndrimit të tij në pozitën e udhëheqësit të EULEX-it, ndërsa kërkoi përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të policisë, doganave dhe gjyqësorit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›