E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i FMN në Tiranë për rishikimin e buxhetit

TIRANE- Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Gerwin Bell, së bashku më përfaqësues të tjerë të institucionit në Shqipëri zhvilluan sot paradite një takim me anëtarët e maxhorancës të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, për të analizuar rishikimin e buxhetit të këtij viti, si dhe nivelin e borxhit publik.

Takimi, i cili zgjati rreth 1 orë, është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e opozitës, anëtarë të Komisionit të Ekonomisë.

Qeveria është duke përgatitur drafin për rishikimin e buxhetit dhe në korrik do ta paraqesë për miratim në Parlament. Bëhet fjalë për një rialokim të fondeve por edhe shkurtimit të disa shpenzimeve.

Një tjetër cështje, e diskutuar mes delegacionit të FMN-së dhe anëtarëve të maxhorancës në Komisionin e Ekonomisë, ka qenë edhe niveli i borxhit. Niveli aktual i borxhit publik të Shqipërisë është 59% e Produktit të Brendshëm Bruto dhe FMN ka qenë kritike sa i përket këtij niveli.  FMN edhe në vizitat e mëparshme të tij ka kërkuar që ky tregues të pësojë rënie.

Misioni i FMN do të takohet nesër me anëtarët e opozitës në komisionin e Ekonomisë, për të mësuar këndvështrimet e këtyre të fundit lidhur me rishikimin e buxhetit dhe nivelin e borxhit. Ndërsa të mërkurën,zoti Gerwin Ball, së bashku me ministrin e Financave, Ridvan Bode, e Guvernatori i Shqipërisë, Ardian Fullani do të japin një konferencë të përbashkët. Në këtë konferencë misioni i FMN pritet të japë rekomandimet, dhe opinionet sa i përket politikave ekonomike që ka ndërmarrë qeveria, dhe rishikimit të buxhetit dhe më pas do të largohet nga Shqipëria.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar diskutoi gjithashtu dhe për perspektivat ekonomike, si dhe projektet e ndryshme të ekonomisë. Pas takimit shefi i misionit të FMN nuk ka dhënë asnjë deklaratë. 
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›