E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, KQZ vazhdon sot numërimin, Olli: Kodet e kutive, të sakta

TIRANE- Komisioni Qendror Zgjedhor do të vazhdojë sot me numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara në 43 qenda votimi të KZAZ Nr 48, që i përket njësisë nr 4. Deri sot janë numëruar votat e kontestuara të njësive bashkiake nr.1, nr.2 dhe nr.3. 474 kuti votimi të hapura. Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës kryeson me 76 vota, ndaj kreut socialist Edi Rama.

PRITET TE NISE NUMERIMI, OLLI: KODET E KUTIVE TE SAKTA
Ora 11: 36 Në KQZ pritet të nisë procesi i hapjes së kutive. NEWS24 raporton se tashmë kutitë e KZAZ nr 48 tashmë kanë mbërritur brenda këtij institucioni dhe pas pak pritet të nisë numërimi.

Ndërkohë që në një prononcim për median zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli hodhi poshtë akuzat e ngritura nga PS se kodet e sigurisë së kutive të votimit nuk rakordojnë me ato që po hap Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  "Kodet e kutive janë të sakta“ – nënvizoi Olli duke shtuar se „Nuk ka pasur asnjë ankimim për mospërputhje kodesh“. Sipas tij nëse subjeketet kanë ankimime mund tu drejtohen institucioneve përkatëse. Përfaqësuesit ligjor të PS në KQZ pretendojnë se gjatë procesit të vlerësimit të votave të kontestuara, janë hapur kutitë me kode sigurie, që nuk përputhen me procesverbalet.

NUMEROHEN 474 KUTI; BASHA NE AVATAZH ME 76 VOTA
Nga 1940 kuti të procesit zgjedhor për Tiranën janë 1793 kuti gjithsej që do të hapen për të rinumëruar fletët e kontestuara, sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Rinumërimi nisi të shtunën e javës së kaluar me kutitë e njësisë bashkiake nr. 1 për të vijuar me kutitë e KZAZ-ve të tjera. KQZ njoftoi dje se do të mblidhet sot rreth orës 09:30 për të vijuar me numërimin e votave në njësinë nr 4.

Në total, KQZ-ja ka hapur deri dje 474 kuti votimi, nga të cilat 156 i përkasin njësisë bashkiake Nr.1, 201 të njësisë bashkiake nr.2 dhe 117 kuti që i përkasin njësisë bashkiake nr.3. Nga procesi i numërimit në të tre njësitë vendore, kandidati i koalicionit të djathtë, "Aleanca për Qytetarin", Lulzim Basha vazhdon të jetë në avantazh ndaj rivalit të tij socialist Edi Rama me 76 vota.

Nga numërimi i fletëve të votimit në njësinë bashkiake Nr.1, (me 18 qershor), ku u hapën 156 kuti votimi rezultuan 28 vota në favor të kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe 26 për rivalin e tij socialist, Edi Rama.

Në njësinë bashkiake Nr.2 (me 19 qershor) nga 201 kutitë e hapura janë gjetur 33 vota të hedhura gabim. Ndër të cilat 21 shkuan në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha dhe 12 në favor të kandidatit socialist Edi Rama.

Në njësinë nr. 3  u hapën, (me 19 qershor), 117 kuti, ku rezultoi që kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha mori 20 vota, ndërsa Rama mori 36 vota.

Procesi i numërimit kryhet nga 8 grupe. Secili grup i numërimit është i përbërë nga dy anëtarë që i përkasin administratës së KQZ- së dhe
që hap katër kutitë e të njëjtës qendër votimi.

DEBATI DJE
Debatet kanë përfshirë sallën në KQZ teksa po vijonte numërimi i votave për njësinë bashkiake numër 2. Një përfaqësuese e Partisë Socialiste në përfaqësinë e vëzhguesve u ankua se kolegu i saj nga Partia Demokratike e kërcënoi me largim nga puna personalisht atë dhe bashkëshortin e saj. "I nderuar z. Ristani, përfaqësuesi i PD-së më kërcënoi se do më largojë nga puna. Burri im është ushtarak. Çfarë janë këto kërcënime", - u shpreh ajo. "Unë nuk e kërcënova, thjesht i sugjerova si të shkruante emrin në një procesverbal sepse e ngatërroi, duhej Etleva Shkurta", - u justifikua përfaqësuesi i PD-së. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Genc Gjoncaj, përfaqësuesi ligjor të PS-së në KQZ. "Z. Ristani, këtë mbledhje e drejtoni ju apo PD-ja. Duhet që KQZ-ja të drejtojë mbledhjen jo të lerë këta njërez që e quajnë veten burra të drejtojnë këtu", - u shpreh ai. Situata shkaktoi disa minuta zhurmë në sallën e KQZ-së, ndërsa Ristani kërkoi që mos shkaktohen "eksese" në këtë proces.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Tirana, KQZ numerimi dje ne Njesine 2, 3 Tirana, KQZ nisi te shtunen rinumërimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›