Misioni ynë bashkimi

Arben Malaj
Arben Malaj thote se e majta duhet te mendoje per shumefishimin e votave dhe jo per ndarjen ne ngastra ku temperaturat e larta dhe tensioni do te demtojne frutat politike
Arben Malaj shpreh besimin se ndryshimet kushtetuese do të arrijnë të miratohen në Kuvend, ndonëse nuk përjashton që vështirësitë e realizimit të këtij objektivi duhet të ekzistojnë. Në intervistën e tij për “Korrierin”, anëtari i kryesisë së PS-së iu bën thirrje partive të vogla të mos përqendrohen tek sigurimi i numrave bllokues, çka nuk do t’u jepte atyre asnjë përfitim. Malaj kundërshton përpjekjet e LSI-së për të marrë elektorat nga PS-ja, ndërsa në mënyrë figurative thotë: “Misioni i partive politike të spektrit të majtë apo të koalicioneve potenciale postzgjedhore duhet të jetë shumëfishimi i votuesve mbështetës, sesa lufta për “ngastra me fruta të dëmtuar politikë”. Në temperatura të larta edhe politike, “frutat” janë të destinuar të prishen, duke u bërë të pangrënshme edhe politikisht”.Bisedoi: Ilir Saqellari -Muaji prill po afron, periudhë kur duhet të ketë përfunduar reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. A do t’i kaloni ndryshimet kushtetuese me pëlqimin e PD-së dhe disa partive të vogla, apo do të rrezikoni duke pritur konsensus nga të gjitha forcat, çka duket se nuk ka gjasa të ndodhë? Arben Malaj: “Do të ishte shumë mirë që elementet thelbësore të reformës në gjyqësor dhe reformës zgjedhore të gjenin një mbështetje sa më të plotë publike dhe politike. Vullneti i tepruar i çdo partie të vogël për të siguruar numra bllokues do të ketë një impakt negativ dhe asnjë përfitim konkret për to. Ndoshta koha deri në miratim mund të jetë një mundësi bashkëpunimi për opsionin më të mirë edhe brenda sistemit proporcional, duke dalë nga qëndrime kategorike dhe bllokuese”. -Tashmë ka marrë rrugë votimi në Kuvend. Mendoni se PS-ja, PD-ja dhe ndonjë aktor tjetër do të arrijnë të kalojnë ndryshimet kushtetuese? “Besoj se po. Nuk përjashtohet mundësia që ketë vështirësi, për shkak të mazhorancës së nevojshme të kërkuar për ndryshimet kushtetuese. Nuk është një debat i lehtë, nuk është një vendim i lehtë edhe për deputetët. Ndryshimet e sistemeve elektorale shndërrohen në kriza politike edhe në vende të tjera. Çdo sistem elektoral ka në vetvete avantazhet dhe disavantazhet e tij. Në tranzicionin tonë politik, deformimi i aplikimit të sistemit aktual ka cenuar cilësinë e qeverisjes, çka është produkti përfundimtar që përfitojnë votuesit shqiptarë”. -Si i shikoni qëndrimet e LSI-së, akuzat dhe përpjekjet për të marrë elektorat nga PS-ja? “Në pyetjen tuaj ka tre elemente lidhur me reagimet politike të LSI-së. Së pari: “Si i shikoj qëndrimet e LSI-së në këtë debat?”. Çdo forcë politike reagon ndaj ndryshimeve të sistemit elektoral parë në këndvështrimin edhe të efektit që ai jep në konkurrimin e saj politik. Në këtë kontekst jo vetëm LSI-ja, por edhe disa parti të tjera kanë shprehur rezervat e tyre, por më efektive do të ishte prezantimi i propozimeve alternative. Lidhur me akuzat e disa prej drejtuesve të LSI-së, vlerësoj se në shumë raste ato kanë shërbyer për të kompensuar mungesën e dialogut dhe ballafaqimit të argumenteve, apo edhe propozimeve përmirësuese. Ndërsa strategjia për të luftuar për marrje anëtarësie është tërësisht e gabuar. Misioni i partive politike të spektrit të majtë apo të koalicioneve potenciale postzgjedhore, duhet të jetë shumëfishimi i votuesve mbështetës, sesa lufta për “ngastra me fruta të dëmtuar politikë”. Në temperatura të larta edhe politike, “frutat” janë të destinuar të prishen, duke u bërë të pangrënshme edhe politikisht. Kjo strategji nuk do t’i sjellë ndonjë përfitim politik LSI-së, veç do të cenojë rëndë profilin e saj publik. Për një forcë të re politike, lufta e gardheve brenda territoreve të partive të tjera veç e dëmton atë, i ul ndjeshëm mundësinë për të fituar mbështetjen në grupe sociale dhe shoqërore të cilat duan një vizion të ri dhe një shpresë të re. Nuk do të dëshiroja t’i shikoja kolegët e LSI-së në fushata denigruese apo rrëmbyese në hapësirat e mbështetjes së PS-së, por në vizione dhe strategji të përbashkëta, pse jo, edhe në takime të përbashkëta elektorale, ku synohet të arrihet fitorja politike e së majtës”. -Ndërsa LSI-ja sidomos, por dhe aleatët e tjerë të PS-së kundërshtuan kandidaturën e Fatos Nanos për president, tashmë duket se nuk e refuzojnë ndihmën e tij për reformën zgjedhore, madje as bashkëpunimin me koalicionin e ri. Si e shikoni këtë qëndrim dhe mundësinë e bashkëpunimit Nano-Meta? “Politika nuk është një veprim i caktuar, në një datë të caktuar dhe për një ngjarje të përcaktuar. Ajo është shumë dinamike. Në këtë kontest, nuk mund të paragjykosh çdo aleancë të mundshme brenda forcave politike, midis forcave politike dhe midis spektrave politikë. E rëndësishme është të qartësohet se për se do të përdoren këto aleanca potenciale: “thjesht për të qenë më të fortë në një luftë brenda vetvetes apo më të suksesshëm në zgjedhjet parlamentare dhe më efikase në qeverisjen e vendit?”. Mentaliteti se qëllimi justifikon çdo mjet mund të jetë gjithmonë individualisht i justifikueshëm, por jo politikisht i efektshëm, kur qëllimi deformon përdorimin e mjeteve, ku përfshihen edhe aleancat politike, që produkti tyre është jopozitiv dhe joafatgjatë. Më shumë se baza e një suksesi, ato mbeten rrënjët e një krize të ardhshme”. -A mendoni se ka lidhje qëndrimi i LSI-së me deklaratën e fundit të kryetarit të PS-së, Edi Rama, se dinte ta bënte edhe punën e kryeministrit? “Në këtë përgjigje detyrohem të jem më i rezervuar. Ne duhet të arrijmë një bashkëpunim sa më efikas për të qenë partia e parë fituese ose koalicioni i parë fitues. Debati për kryeministrin e ardhshëm nuk mund të jetë një debat individual midis Ramës dhe Metës. Aq më pak, ai nuk duhet të jetë një kryqëzim deklaratash akuzuese midis përfaqësuesve të dy forcave politike, jo vetëm virtualisht aleatë. Sipas Kushtetutës së PS-së, Rama është kandidati zyrtar për kryeministër. Sipas Kushtetutës së vendit, forca e parë politike që fiton mbështetjen më të madhe të votuesve, merr përgjegjësinë të propozojë kryeministrin dhe të formojë qeverinë e ardhshme. Në historinë politike të shumë vendeve evropiane, nuk ka ndonjë rast që partia më e madhe konkurron, duke e dhuruar kryeministrin parazgjedhjeve, edhe në rastet kur ajo konkurron në koalicione. Por ka shumë raste, që për të krijuar koalicione qeverisëse, partitë e mëdha bëjnë koncesionet e tyre politike për numrin dhe dikasteret që drejtojnë partitë e vogla, ku numri dhe pesha e tyre është shumë më e madhe se mbështetja elektorale që ata kanë. Kjo është e mirëkuptueshme, sepse në thelbin e saj politika nuk është thjesht dhe vetëm raporte numrash. Në momentin që politika rrezikohet që të kthehet thjesht dhe vetëm aritmetike, numrash mbijetues, atëherë ajo ka dështuar, ajo vetëm mbijeton, por nuk prodhon dot reforma dhe pa reforma ajo prodhon fillimisht zhgënjim dhe më vonë edhe krizë varfërie për të gjithë mbështetësit, por edhe votuesit shqiptarë”. -A rrezikohet fitorja në zgjedhjet e 2009-ës, nëse të majtët vazhdojnë të mbeten të ndarë? “Probabiliteti i fitores bëhet më i vështirë. Ky do të jetë një test për lidershipin e së majtës, por edhe për votuesit shqiptarë. Do të ketë test edhe për elektoratin tonë; do t’u mbetet besnik detyrimeve tradicionale mbi baza familjare e shoqërore, apo do të kërkojë ndryshime cilësore në standardet e proceseve elektorale dhe sidomos në cilësinë e partive politike, Parlamentit dhe qeverisë së vendit të tyre. Grupi i parë përfshin mbështetësit tradicionalë të spektrave politikë, ndërsa grupi i dytë përfaqëson pjesën dinamike të elektoratit shqiptar që kërkon ndryshime cilësore. Në grupin e dytë përfshihen edhe shumë nga të pavendosurit, një grupim shoqëror përfaqësues, por që ndjehen të zhgënjyer nga ajo që kanë shpresuar deri tani nga politika. PS-ja dhe të majtët në përgjithësi duhet të kenë strategji të qartë edhe për grupin e dytë. Analistët politikë për zgjedhjet e fundit në Spanjë theksonin qartë që, në qoftë se pjesëmarrja do të ishte e ulët, kjo do të penalizonte socialistët, ndërsa pjesëmarrja e lartë, ashtu siç ndodhi, favorizonte socialistët. Pjesëmarrja rritet në qoftë se njerëzve u lind një shpresë e re, shikojnë një cilësi të re të lidershipit politik. Në rast të kundërt, në votime do të marrin pjesë vetëm pjesët militante; abstenimi do të jetë i lartë, deformimi do të jetë i lartë, produkti politik i zgjedhjeve do të jetë jocilësor”. -Nëse shansi për të ardhur në pushtet shkon dëm, për shkak të mosbashkëpunimit, kush do të jetë përgjegjës? “Kemi shumë kohë përpara për të fituar, jemi realisht optimistë për të fituar. Debati se kush do të jetë përgjegjës dhe si do të viktimizohen përgjegjësit, e bërë në periudhën e fokusimit tek strategjitë, bashkëpunimet dhe koalicionet e fitores, vetëm e deformon prioritetin tonë të përbashkët. Detyrimi ynë edhe i imi personalisht, është të jemi pjesëtarë aktivë të fitores dhe jo gjykatës katilë të humbësve”. saqellari@korrieri.com