E Diel, 1 Nëntor 2026

Skllevërit e mitur të Gërdecit

Endri O. 15 vjeç

Zbardhen dyshimet se ne fabriken e vdekjes punonin njerez te pakualifikuar dhe femije. Korrieri interviston dy prej tyre. "Ne qe ishim mbi dhjete vjeç futeshim tek te rriturit".

TIRANË - Janë burrëruar para kohe. Mbase nga vuajtjet e hallet, mbase ngaqë kanë bërë punë të rënda që fëmijë, mbase nga skena e llahtarshme e shpërthimit të tri ditëve më parë në fabrikën e Gërdecit. I pari nuk ka mbushur akoma 16 vjeç, e shoku i tij është vetëm 17 vjeç. Kanë shumë të përbashkëta mes tyre. Ishin të dy banorë të Gërdecit, punuan të dy e panë nga afër çmontimin e armëve, madje provuan edhe “shiun” e barutit dhe të plumbave të datës 15 mars mbi kokat e tyre. Kur i takon në sallën e pritjes të konvaleshencës në Durrës, shikon dy djem të imët në trup e paska të traumatizuar. Endri O. është vetëm 15 vjeç, por di të çmontojë fishekë mitralozi të lehtë e të të tregojë pothuajse rreth çdo procesi pune që realizohej në fabrikën e Gërdecit. Ndërsa tjetri, Bledi A. rrëfen se ndihet i lodhur nga gjërat që ka parë e përjetuar ditët e fundit. Edhe ky, ashtu si miku dhe komshiu i tij, ka pasur një eksperiencë pune tek fabrika. Që të dy, edhe pse nuk kanë punuar më tepër se tre muaj në sektorë të ndryshëm të saj, dinë me përpikëri proceset dhe mënyrën sesi punohej aty. Pohojnë me bindje të plotë edhe faktin e përfolur prej ditës së parë, që në atë fabrikë punonin edhe fëmijë me moshë të vogël. Njëzëri pranojnë: “Kemi pasur shokë që ishin nga 10 e 12 vjeç dhe bënin punë të rënda, ashtu si dhe ne”. E gjatë bisedës që bën me ta ndjehet hapur frika, ankthi, tmerri e lodhja e tri ditëve të fundit. Një tjetër ngjashmëri mes tyre është dhe fakti se pse kishin vendosur të punonin aty. Gjendja ekonomike e keqe e familjes i kishte rritur para kohe e i kishte bërë të merrnin përsipër gjëra më të mëdha seç mund të marrë një bashkëmoshatar i tyre, i cili shkollohet e kalon pjesën më të madhe të kohës duke luajtur “Playstation”. Dy djemtë jo vetëm që janë rritur nga hallet duke bërë punë të rënda, por edhe mënyra sesi flasin e logjikojnë, të duket sikur para ke dy burra e jo dy adoleshentë. Secili prej tyre rrëfen për “Korrierin” eksperiencën e punës tek fabrika, miqtë e tjerë me moshë më të vogël se të tyren dhe fatin e madh që patën nga shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit. -Si quheni dhe ku banoni? “Quhem Endri O. dhe jam 15 vjeç. Banoja në lagjen “Ustali” të Gërdecit, që ndodhet përballë repartit. Tashmë nuk ka ngelur asgjë nga shtëpia që kisha”. -A keni punuar ndonjëherë në fabrikën e çmontimit? “Po, kam punuar”. -Për sa kohë dhe me çfarë merreshit konkretisht aty? “Kam punuar për tre muaj, që nga muaji gusht e deri në tetor të vitit 2007. Bëja transportin e fishekëve nga disa arka që vinin, në arka të tjera që futeshin pas çmontimit”. -Mund të ma sqarosh më saktë punën që bëje? “Ngarkoja e shkarkoja fishekë, edhe i çmontoja gjithashtu. Së bashku me tre shokë të tjerë çmontonim fishekë mitralozash të lehtë, që ishin në arka hekuri. Pasi i zbërthenim fishekët, i kalonim në arka të tjera. Ishim gjithë kohës në kontakt me barutin”. -Kush ta gjeti punën? A ishin prindërit e tu në dijeni të punës që bëje? “Vetë e gjeta. Nuk ishte e vështirë të gjeje punë në atë vend. Shkova aty tek fabrika, u futa brenda e thashë që doja punë. Më morën direkt e më treguan se çfarë duhet të bëja. Prindërit e mi e dinin, sepse ne kishim nevojë për lekë. Jetoj me mamin e babin që i kam të papunë e kam dhe një vëlla jashtë shtetit. Më duheshin lekët, prandaj bëja dhe punë aq të rëndë”. -Sa paguheshe dhe a kishte siguri në punë? “Paguheshim me normë. Merrja 10 mijë lekë të vjetra për 300 arka të çmontuara fishekësh. Një arkë kishte 30 kilogramë fishekë. Imagjino sa shumë lodhesha”. -Sa orë në ditë punoje? “Punoja nga ora 7.00 e mëngjesit e deri në orën 17.00 të pasdites. Për 10 orë me radhë”. -Nga lodhja e madhe e le edhe punën? “Po, nga lodhja dhe kur dëgjova që po të rrija për shumë kohë në kontakt me barutin, do të sëmuresha nga mushkëritë e shumë shpejt do të vdisja nga kanceri i mushkërive. Por kur e kujtoj lodhjen... Mbaj mend që kur kthehesha në shtëpi nga puna, isha mbuluar kokë e këmbë nga baruti e nuk kisha fuqi as të bëja dush. Lodhesha shumë”. -A kishe moshatarë të tjerë që punonin aty me ty? “Unë futesha tek të mëdhenjtë. Aty kishte që nga mosha 10 e 12 vjeç. Kishte edhe nga ata 7-vjeçarët që vinin e punonin me nënat e tyre për t’i ndihmuar. Por ne që ishim stabël aty ishim 10 vjeç e sipër”. -Po në momentin kur ndodhi shpërthimi, ku ishit? “Tek puna tjetër që bëj për momentin. Edhe aty punëtor ngarkim-shkarkimi jam. Dëgjuam me ata të punës zhurmën e u larguam drejt Tiranës me makinën e pronarit. Shyqyr Zotit që dhe mami e babi shpëtuan për mrekulli. Por shtëpia në Gërdec është rrënuar krejtësisht”.  “Firmosëm kontratë në rast shpërthimi”   Dëshmia e Bledi A., 17 vjeç   -Si quheni dhe ku banoni? “Quhem Bledi A. dhe jam banor i lagjes “Ustali” të Gërdecit, që tani kemi mbetur në mes të katër rrugëve”. -Keni punuar ndonjëherë në fabrikën e çmontimit? “Po, kam punuar në periudhën gusht-shtator të vitit të kaluar”. -Cila ishte puna juaj aty? “Puna ime ishte të çmontoja fishekët. I ndanim në tri pjesë: në gëzhoja, në barut dhe në majën e fishekut. Pasi bëhej ndarja e tyre, mbetjet i merrnim në kova e i hiqnim”. -Ishte e lodhshme puna? Po uniforma kishit? “Ishte shumë e lodhshme dhe e rëndë. Nga kontakti i madh me barutin nuk na linin që të pinim as ujë. Uniforma kishim, me një jelek si ata të zakonshmit, ngjyrë jeshile”. -Sa orë në ditë punonit dhe sa paguheshit?  “Punoja 8 orë në ditë dhe për këtë 8-orësh më paguhej 10 mijë lekë të vjetra dita”. -E kishit të vështirë për ta gjetur punën? “Jo, fare. Punën madje e kam gjetur krejt rastësisht. Pasi nuk më eci për të shkuar refugjat, u ktheva për në Shqipëri. Një ditë kam hyrë krejt rastësisht për të parë ambientet e brendshme të fabrikës ku punonin disa shokë të mitë. Të nesërmen më thotë menaxheri i firmës që më kishte shënuar ditën e punës, me idenë se isha punëtor. Aty nuk dihej sa punëtorë të rinj kishte”. -Kush ju mori në punë? “Një person me emrin Tani. Nuk ia di as emrin e plotë. Po kështu i thërrisnin. Ishte nga Tirana, nuk jam shumë i sigurt”. -Po kontratë kishe? “Çfarë kontrate? As që bëhej fjalë. Por ky Tani pati bërë diçka shumë të keqe me ne. Shumë shokëve të mi, ashtu si edhe mua na pati dhënë për të firmosur një fletë, ku ishte shkruar që, në rast rreziku, unë ose çdo punëtor merrte përgjegjësinë e vet”. -Për çfarë lloj rreziku? Na e saktëson dot? “Në rast shpërthimi”. -Ua ka dhënë të gjithëve të firmosnin këtë letër? “Me aq sa di unë, ua ka dhënë të gjithë punëtorëve. Që në rast shpërthimi, ai të ishte në rregull”. -Kjo ishte hera e parë që ndodhte një shpërthim në fabrikë? “Në kohën që punoja unë, merrte flakë pothuajse çdo ditë nga një gjë, por e përmasave të vogla. Vetëm një herë, diku nga gushti, një punëtor tek baruti po pinte cigare. E kishte harruar fare cigaren nga puna dhe e kupton vetëm kur merr flakë tek pjesa e buzëve dhe e kraharorit, pasi hiri i cigares i ra sipër barutit që dilte nga çmontimi i fishekëve”. -Juve ju trajnonte ndonjë specialist? “Në periudhën që punoja unë nuk kam parë asnjë të tillë. Ishte shumë e pasigurt puna aty”.       Ina Rama: Në fabrikë nuk punonin fëmijë E nëse fëmijët pohojnë se përveç tyre ka pasur edhe të tjerë të mitur që punonin rregullisht në fabrikë, vetëm dy ditë më parë kryeprokurorja Ina Rama në një konferencë për shtyp pati deklaruar zyrtarisht, se mes punëtorëve nuk ka pasur asnjë mitur.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›