E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski-Aliu shkëmbejnë akuza

Nikolla Gruevski

Qeveritaret maqedonas dhe shqiptare ne Shkup perfshihen ne debate te ashpra ne distance. Kryeministri akuzohet si bashkepunetor serbo-rus

Kryeministri Nikolla Gruevski tha dje, se nuk dëshironte t’u përgjigjej akuzave dhe ofendimeve të Partisë Demokratike Shqiptare, duke shtuar se ai po merret me çështje të interesit shtetëror. “Nuk dua t’u përgjigjem akuzave dhe ofendimeve të PDSH-së, për shkak se ndoshta atyre u konvenon që të merren me mua, por mua nuk më konvenon që të merrem me ofendimet e tyre. Koha dhe historia do të tregojë se kush kishte të drejtë”, deklaroi kryeministri, duke u përgjigjur lidhur me thirrjen e zëvendëskryeministrit Imer Aliu për bojkotimin e institucioneve shtetërore nga ana e ministrave dhe funksionarëve të PDSH-së. Sipas Gruevskit, kjo që po bën PDSH-ja nuk ishte hap i papritur. “Një vit e gjysmë ishim bashkë. I njoh shumë dobësi të tyre, lëshimet dhe gabimet, por për mua nuk është qëllim PDSH-ja dhe nuk dua t’i përgjigjem dhe t’i nënçmoj. Në këtë periudhë jam i koncentruar sidomos për interesat shtetërore. Po jetojmë në 15 ditët e fundit deri në Samitin e NATO-s, kur kemi edhe gjasa për të pranuar ftesën për anëtarësim”, theksoi kryeministri Gruevski, në një forum partiak me temën “Bujqësia, rruga më e mirë për zhvillimin e Maqedonisë”. Ai ka komentuar edhe deklarimet e PDSH-së, se po punon në linjat e bashkësisë ndërkombëtare, duke u përmendur edhe presidenti amerikan dhe presidentet e kryeministrat e vendeve perëndimore. “Lidhur me atë se kush ka punuar për Xhorxh Bushin, se a ka punuar Menduh Thaçi për Bushin apo dikush tjetër, atë e di presidenti amerikan”, theksoi kryeministri Gruevski. Ai shtoi se nuk mendon të bëjë kompromis për çështjen e emrit, por u angazhua se do të punojë në shërbim të interesave të qytetarëve, duke qenë në partneritet me aleatët e SHBA-ve dhe të BE-së. Më pak se 2 orë para kundërpërgjigjes së Gruevskit, akuzat i kishte lëshuar ndaj tij në prani të ministrave dhe zëvendësministrave të PDSH-së, zëvendëskryeministri Imer Aliu. Ai reagoi ashpër, pasi kreu i qeverisë në një intervistë për agjencinë MIA, akuzoi PDSH-së se është e përfshirë në skenarët e Kosovës, Serbisë dhe Greqisë. “Opinioni është i informuar se ky, i njëjti kryeministër, të shtunën në agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, mua dhe partinë time na akuzoi në mënyrë implicite se punojmë për Kosovën, Greqinë dhe Serbinë. Me këtë rast, më lejoni të konstatoj se për Kosovën punoj unë dhe partia ime, se jemi një gjak, një gjuhë dhe një flamur”, theksoi Imeri në një konferencë për media. Ai më pas shtoi se PDSH-ja mund të thuhet se punon edhe për Greqinë, për shkak se do të vazhdojë të punojë që Maqedonia bashkë me Greqinë të jenë anëtare të NATO-s. “Punoj për Presidentin francez Sarkozi, kancelaren gjermane Merkel, kryeministrin britanik Gordon Braun, me gjithë kryeshefat e shteteve anëtare të NATO-s, punoj për sekretarin e përgjithshëm Jaap De hop Shefer, Presidentin Xhorxh Bush, por prej këtij momenti asnjëherë më nuk do të punoj me Nikolla Gruevskin. Ia lë Nikolla Gruevskit në rezervë vetëm Rusinë dhe Serbinë”, - deklaroi Aliu. Ai shprehu keqardhje se, duke konstatuar që ky person i papërgjegjshëm e çon shtetin në humnerë, i çon qytetarët drejt konfliktit dhe unë nuk mund të pajtohem me këtë mënyrë të punës. “Për mua ka tre ideale: Partia dhe Populli im, Maqedonia anëtare e NATO-s dhe Maqedonia anëtare e Bashkimit Evropian”, - tha Aliu. Në mungesë të kryetarit të partisë që nuk është i pranishëm këtu, për shkak të tragjedisë që ndodhi në Shqipëri, Aliu tha se nuk mund të them që ky është vendim partie. “Kryetari do të kthehet sonte ose nesër (dje ose sot) dhe unë do të kërkoj që partia të marrë vendim që asnjë shqiptar të mos jetë pjesë në punën e mëtejshme të institucioneve që drejton Nikolla Gruevski”, u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›