E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miss Politika

Nuk janë vetëm mediat serbe të cilat kanë shkruar për foton e Miss Kosova Universe, Afërdita Dreshaj dhe Miss Serbia, Anja Seranovic. Për skandalin e fotos dhe politizimin e miss-it kanë shkruar edhe mediat spanjolle, italiane dhe ato amerikane. Nga Ardian Jasiqi më 04 shtator 2011 në ora 18:00

Një fotografi e bërë së bashku në mes të Miss Kosovës dhe Miss Serbisë nuk ka zgjuar vetëm reagim nëpër mediat serbe, të cilat kanë cilësuar se Miss Serbia me atë foto e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe të medieve botërore.

Gazeta të njohura italiane dhe spanjolle, por edhe ato të Amerikës Latine, kanë shkruar për foton e përbashkët të dy miss-eve, e cila thuhet se u bë skandal, pasi që të dy miss-et e botuan atë në profilet e tyre në Facebook.

Gazeta e njohur spanjolle “El Mondo” shkruan se dy miss-et, Dreshaj dhe Saranovic janë dy nga 87 konkurrentët e Miss Universe, që pritet të mbahet në Sao Paolo në Brazil, më 12 shtator.

“Pa menduar dy herë, miss-et ishin dalë në një fotografi së bashku. Por, ato nuk kishin ditur se sa kokëçarje do të mund t’u shkaktonte fotoja . Kjo edhe u bë sepse fotografia e profilit është shpërndarë nëpër media të Kosovës dhe Serbisë. Serbët e interpretuan si tradhtare të kombit missin e tyre”, shkruan El Mondo.

Gazeta shkruan për atë se si serbët e kishin quajtur tradhtare missin e tyre, për shkak se ata ende e konsiderojnë Kosovën si pjesë të tyre. Por, Saranovic më sa duket e kishte bërë këtë foto vetëm sa për sy e faqe, sepse pas reagimeve ajo mbështeti politikën serbe për Kosovën.

“I mbështes politikat e vendit tim”, ka shpjeguar ajo për gazetën. “Ajo fotografi nuk do të thotë se unë e njoh shtetin e Kosovës, sepse Kosova është pjesë e Serbisë”, ka thënë Saranovic.

Ndryshe mendon kosovarja Dreshaj. Ajo është përgjigjur në profilin e saj në Facebook duke thënë: “Kam dëgjuar për skandalin që ka shkaktuar fotoja ime me Miss Serbinë. Është çmenduri. Mos lejoni që politika të përzihet në jetën tuaj”, ka shkruar ajo për fansat e saj në Facebook.

Për këtë ka shkruar edhe media amerikane ABC, që ka raportuar të njëjtën gjë për fotografinë e të dyja miss-eve. Megjithatë, disa media shkruajnë se miss-et nuk janë aq të afërta me njëra-tjetrën, edhe pse kanë pozuar disa herë bashkë. ABC sjell edhe një thënie të Dreshajt, që e ka postuar në ueb faqe se “vendi i saj ka vuajtur shumë gjatë këtyre viteve nga serbët, të cilët kanë vrarë shqiptarë”.

Për skandalin ka shkruar edhe gazeta e njohur italiane Corriere della Sera, që ka sjellë edhe deklaratën e Miss Serbia, së Kosova është pjesë e Serbisë. Gazeta e ka transmetuar edhe deklaratën e Dreshajt në Facebook.

Miss Kosova, Afërdita Dreshaj po merr pjesë në spektaklin “Miss Universe 2011”, duke e përfaqësuar Kosovën për herë të katërt në këtë eveniment, përderisa fotografi të Miss Kosovës dhe Miss Serbisë ishin bërë edhe më parë në Miss Universe, por kjo e fundit ka ngjallur reagimin edhe të medieve të huaja, të cilat kanë shkruar se Ballkani di të përziejë politikën edhe kur është fjala te bukuroshet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›