E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, "beteja" nis në facebook, slogani PS, "E vetmja rrugë"

TIRANE-  PS ka vendosur ditën e djeshme sloganin e vet zyrtar të fushatës për zgjedhjet lokale të 8 majit. "E vetmja rrugë", është prezantimi i PS, përballë sloganit tashmë të deklaruar të PD "Të parët jeni ju". Sipas burimeve brenda PS të cituara sot nga GSH, slogani është menduar për një kohë të gjatë, dhe është rrjedhojë e të gjithë sloganeve të mëparshëm të tanishëm të Partisë Socialiste, ndërkohë që më i fundit që është mbajtur mend dhe është ngulitur në mendjen e njerëzve është "Fajin e ka Saliu". Por duket se edhe PS, nuk ka dashur që në sloganin e vet të zgjedhjeve të ketë ndonjë fjalë kundërshtuese apo fyese të PS. Dje edhe në Facebook, për herë të parë, kandidati zyrtar i PS për bashkinë e Tiranës, që konkurron për të katërtën herë në këtë detyrë, Edi Rama, ka hapur edhe faqen e vet personale zyrtare të fushatës. Ashtu sikurse është vënë re edhe në faqen e kandidatit të PD për Tiranën Lulzim Basha, edhe Edi Rama, ka zgjedhur që në këtë faqe, të vendosë një foto të tij me bashkëshorten Linda Rama. Por ndryshe nga kandidati i PD Basha, ai, fotot me bashkëshorten i ka vendosur në një ambient artistësh dhe jo në një ambient familjar siç ka zgjedhur Basha. Duket se beteja do të jetë e ashpër këtë herë, dhe të dy palët, do të angazhojnë edhe bashkëshortet e tyre në fushatë. Megjithatë, edhe pse zyrtarisht zgjedhjet nuk janë hapur, duket se do të jenë të vështira që në startin e tyre.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›