E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misteri publik i ‘muratorëve të lirë’

Këndmatësi dhe kompasi janë dy simbole të cilat njerëzve të rëndomtë shpeshherë ua ‘ndezin’ imagjinatën. I nxisin të mendojnë për lozhat e masonerisë, të cilat drejtojnë botën. Por, e vërteta është se ka kohë që Muratoria e Lirë në masë të madhe është demistifikuar.

Tempujt e lozhave të masonerisë ndriçohen me qirinj, ndërsa në hapësirat e tyre të fshehta, qëndrojnë fytyra serioze, të cilat vendosin për fatin e njerëzimit. Ky përshkrim i Muratorëve të Lirë duket i patejkalueshëm.

Por sot, lozhat e masonerisë në gjithë botën po hapen për media. Disa nga ritualet e tyre përplot simbole, lëvizje dhe fjalime të parapërgatitura, më nuk paraqesin kurrfarë misteri. Mirëpo, përkundër kësaj, edhe më tej mbetet e vështirë që të sqarohet se, çfarë në të vërtetë bëjnë njerëzit që veten e quajnë masonë.

“Ne punojmë në vetveten tonë, dhe dëshirojmë që në këtë mënyrë botën ta bëjmë sa më të mirë”, pohon Vilhelm Glecker, mjeshtër i lozhës nga qyteti gjerman Erlangen.

Lozha e tij, e cila kryesisht përbëhet nga zotërinj më të moshuar, mundohet ta ruaj traditën. Kështu, para hyrjes në takime, të gjithë duhet ta thonë sloganin, ndërkohë që anëtarësimi i fermave në këtë lozhë është i ndaluar,. Nga ana tjetër, në Hamburg ekziston një lozhë paksa më moderne, pjesë e së cilës është edhe gjermanja Sara Kapler (24). Në radhët e Muratorëve të Lirë ajo është pranuar bashkë me edhe 23 femra të tjera.

“Gjatë gjithë jetës ne punojmë në gurë – kështu thuhet kjo. Kjo do të thotë se, mundohemi që ta avancojmë karakterin tonë, qoftë edhe nëpërmjet përmirësimit të imtësive. Nëse, për shembull, ndodheni në qytet gjatë të shtunës pasdite, do të vëreni sesi shumë njerëz janë të stresuar, ose janë nisur për të blerë diçka. Po të ndaleni diku anash, do të vëreni se ka edhe njerëz të cilët kanë nevojë për ndihmë, madje, qoftë edhe për shkak se vetëm bartin një çantë tepër të rëndë. Me rëndësi është që t’i vëreni gjërat e tilla, dhe që njëmend të ndërmerrni diçka lidhur me atë që vëreni”, tregon Kapler.

Kërkojnë anëtarë të ri

Lozha e parë e Muratorëve në Gjermani është themeluar pikërisht në Hamburg, dhe atë vetëm dy dekada pas themelimit të Lozhës së Madhe në Londër, në vitin 1717.

Në ndërkohë, sot pjesë e lozhave të Gjermanisë janë edhe 400 femra. Kisha Katolike edhe më tej nuk i shikon me sy të mirë organizatat e masonëve, të cilët gjatë kohës së nazizmit përndiqeshin njësoj sikurse edhe çifutët, për shkak se konsideroheshin si pjesë e “komplotit çifut”.

Edhe pse në masë të madhe masonët sot janë demistifikuar, edhe vetë përmendja e termit Muratorët e Lirë ende vazhdon të nxis fantazitë.

“Teoritë e komplotit u ndërtuan për shkak se masonët nuk i interpretonin pulisht ritualet e tyre. Ky veprim pastaj nxiste imagjinatën e njerëzve. Por, masonët aktualisht janë në kërkim të një pozite të re - diçka mes fshehtësisë dhe publicitetit”, pohon Matthias Pellmann, teolog dhe ekspert për Muratori të Lirë.

Veç kësaj, duke marrë parasysh mungesën e anëtarësisë, para së gjithash në mesin e të rinjve, lozhat e masonëve shumë shpesh përkujtojnë se anëtar i tyre mund të bëhet çdokush.

“Shumë njerëz janë të fascinuar me idenë e Muratorisë së Lirë. Përveç kësaj, edhe vetë anëtarësimi është joshës, sepse për anëtarësim në lozhë nuk kanë kurrfarë roli as prejardhja, as nacionaliteti, as religjioni, e as statusi shoqëror”, sqaron Pellmann.

Ndryshe, aktualisht në botë organizatat e masonëve numërojnë diku ndërmjet tre dhe katër milionë anëtarë, të cilët janë të shpërndarë në mbi 200 lozha dhe oriente të mëdha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›