E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pharmakon” garon për Oscar

Filmi i regjisorit të ri shqiptar, Joni Shanaj, “Pharmakon” do ta përfaqësojë Shqipërinë në garën për çmimin OSCAR, meqë është filmi i vetëm që i plotëson të gjitha kushtet.

Sipas web-faqes Variety, pas paraqitjes së padinjitetshme të Shqipërisë vitin e kaluar, kur pati shumë mosmarrëveshje lidhur me filmin e saj të nominuar “Falja e Gjakut”, sivjet duket se filmi i Joni Shanajt i plotëson kushtet për garë në kategorinë e filmave të huaj.

Filmi i prodhuar nga Zig-Zag Film pritet që nga kreu i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare, Artan Minarolli, të shpallet të premten si konkurrent zyrtar shqiptar për Oscar.

Dy personazhet kryesore të filmit - ku nuk mungojnë as skenat erotike mes tyre - janë Klevis Bega (në rolin e Brankos) dhe Olta Gixhari (në rolin e Sarës). Filmi trajton temën e luftës së brezave për pushtet dhe dominim.

“Pharmakon” është një film artistik i metrazhit tërësisht shqiptar, i cili financiarisht pjesërisht është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe nga RTSH.

Producent i filmit është regjisori Mevlan Shanaj. Muzika është krijuar nga kompozitori suedez, Anton Lennartsson. Filmi ka dy drejtorë fotografie, jugkoreanin Ji-Hwan Park dhe izraelitin Ram Shani. Post-produksioni është bërë nga studioja hungareze Focus Fox Studio LTD.

Kandidatët që garojnë për Oscar në kategorinë e filmit të huaj shpallen zyrtarisht më 10 janar 2013, ndërkaq ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar mbahet më 24 shkurt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›