Mitchell,takon mbretin e Jordanisë

I dërguari special i SHBA-së në Lindjen e Mesme Xhorxh Miçëll është takuar me Mbretin e Jordanisë Abdullah ditën e shtunë në kryeqytetin jordanez Aman, përpara vizitës në rajonin e nxehtë javën e ardhshme të Sekretares amerikane të Shtetit Hilari Klinton. Miçëll po vijon udhëtimin e tij të dytë në Lindjen e Mesme, në kuadër të shtyrjes përpara të zotimit të Presidentit amerikan Barak Obama për arritjen e një paqeje arabo-izraelite. Xhorxh Miçëll ka vizituar deri më tani Turqinë, Izraelin dhe Bregun Perëndimor, përpara se të vijonte turin e tij në Jordani. Miçëll pritet t'i bashkohet Sekretares së Shtetit Klinton, më datë 2 mars në resortin egjiptian të Sharm el Sheikut në Detin e Kuq, në konferencën e donatotëve për banorët e Rripit të Gazës. Kjo konferencë do të përpiqet të mbledhë rreth 2.8 miliardë dollarë, të cilat nevojiten për rindërtimin e Gazas.