Solana takon presidentin palestinez,Abas

Shefi i diplomacisë europiane Havier Solana ka vazhduar vizitën e tij në rajonin e Lindjes së Mesme, duke shkuar në Bregun Perëndimor, ku ka takuar Presidentin palestinez Mahmud Abas. "Ne diskutuam për cështje si ajo e konferencës së donatorëve që do të mbahet në Egjipt, dhe që do të mbledhë ndihma për banorët e Rripit të Gazës. Këto donacione duhen bërë nën mbikqyrjen e autoritetit palestinez", tha Abas përpara kryediplomatit europian Solana. Ditën e premte, Solana zhvilloi një vizitë edhe në Rripin e Gazës, ku shprehu mbështetjen për përpjekjet e përfundimit të përçarjeve midis militantëve islamikë palestinezë dhe rivalëve pro-perëndimorë, shekullaristëve të Fatahut. "Nuk mendoj se nevojiten mekanizma të reja, por ato ekzistueset duhet të jenë më efikase për të mundësuar shpërndarjen e shpejtë të ndihmave", është shprehur Solana. Në vizitën e tij të parë në enklavën e kontrolluar nga Hamasi, Solana është takuar edhe me zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe liderë të komunitetit palestinez. Por Solana nuk ka pasur asnjë takim me drejtues të Hamasit. Një pjesë e madhe e grupeve të ndryshme palestineze, përfshirë këtu Hamasin dhe liderin e Fatahut, njëkohësisht Presidentin Mahmud Abas, kanë nisur që nga dita e enjte bisedimet e pajtimit në kryeqytetin egjiptian Kajro, në përpjekje për të krijuar një qeveri të unitetit kombëtar deri më datë 20 mars. Por përfaqësuesi i lartë europian është treguar i matur në komentet e tij mbi propozimet për një qeveri bashkimi, duke thënë se fillimisht, pajtimi kombëtar duhet të jetë parësor.