E Diel, 1 Nëntor 2026

Miti i rritjes së shteteve autoritare

Cambridge, 10 gusht – Një të shtunë në mëngjes disa qindra aktivistë pro demokratë u mblodhën në një shesh të Moskës për të protestuar rreth kufizimeve të qeverisë për lirinë e tubimit. Ata mbanin pankarta në të cilat shkruante “31”, duke iu referuar nenit 31 të Kushtetutës së Rusisë, e cila e garanton lirinë e tubimit. Shumë shpejt ata u rrethuan nga policët, që u munduan ta shpërndanin demonstratën. Një kritik i njohur i Kremlinit dhe disa të tjerë me shpejtësi u tërhoqën zvarrë dhe u futën në automjetin policor, duke u dërguar në stacion.
Ngjarjet e tilla janë pothuajse të përditshme në Rusi, ku kryeministri Vladimir Putin e qeveris shtetin me një grusht të çeliktë, derisa persekutimi i kundërshtarëve të qeverisë, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimet gjyqësore janë bërë rutinë. Në një kohë kur demokracia dhe të drejtat e njeriut janë bërë norma globale, ngjarjet e tilla nuk i shkojnë edhe aq në dobi reputacionit global rus. Liderët autoritarë, si Putini, e kuptojnë këtë, mirëpo mbase e shohin si një çmim që duhet të paguhet për të ushtruar pushtet të pakufishëm në shtetin e tyre.
Atë që liderët si Putini me sa duket nuk e kuptojnë edhe aq është se këto politika po ashtu vënë në rrezik të ardhmen ekonomike të shtetit të tyre dhe pozitën globale ekonomike.
Marrëdhëniet midis politikës së një shteti dhe mundësive ekonomike të saj janë marrëdhënie themelore në shkencat sociale.
Cila është më e mirë për zhvillimin ekonomik – një grusht i çeliktë që nuk e ka barrën e konkurrencës politike, apo një pluralitet i interesave konkurruese që nxit hapje kundruall ideve të reja dhe protagonistëve të rinj politikë?
Shembujt në Azinë Lindore (Koreja Jugore, Tajvani, Kina) duket se i japin përparësi kësaj të dytës. Mirëpo, si atëherë mund të sqarohet fakti se pothuajse të gjitha shtetet e pasura – me përjashtim të atyre që janë të pasura për nga natyra – janë demokratike? A duhet transparenca politike të jetë e para, e jo e dyta, karshi rritjes ekonomike?
Po qe se shikojmë të dhënat historike, në vend të rasteve individuale, ne mund të konstatojmë se autoritarizmi nuk shkon në favor të rritjes ekonomike. Për secilin shtet autoritar që ka arritur të rritet ekonomikisht, janë shumë shtete të tjera që kanë dështuar. Për secilin Lee Kuan Yew të Singaporit janë shumë Mobutu Sese Seko të Kongos.
Demokracitë jo vetëm që lënë pas vetes diktaturat kur është në pyetje zhvillimi afatgjatë ekonomik, mirëpo edhe në aspekte të tjera të rëndësishme. Ato ofrojnë stabilitet më të madh ekonomik, të matura me rritjet dhe uljet në qarkun e biznesit. Ato janë më të mira në përshtatjen me tronditjet ekonomike nga jashtë. Ato gjenerojnë më shumë investime në kapitalin njerëzor – shëndet dhe arsimim. Po ashtu, ato prodhojnë shoqëri më të barabarta.
Regjimet autoritare, në anën tjetër, prodhojnë ekonomi që janë po aq të brishta, sa edhe sistemet e tyre politike. Kapaciteti i tyre ekonomik, në rastet kur ai ekziston, mbështetet në fuqinë e liderëve individualë apo në rrethanat e përkohshme të favorshme. Ata nuk mund të mbështeten në novacionet e vazhdueshme ekonomike apo udhëheqjen globale ekonomike.
Në shikim të parë Kina duket se është përjashtim. Që nga fundi i të shtatëdhjetave, pas përfundimit të eksperimenteve katastrofike të Maos, Kina ia ka dalë jashtëzakonisht mirë, duke përjetuar nivele të zhvillimit ekonomik. Ndonëse ka demokratizuar një pjesë të vendimmarrjes lokale, Partia Komuniste Kineze mban frerët mbi politikën e shtetit, derisa shkelja e të drejtave të njeriut është e shpeshtë.
Mirëpo Kina po ashtu mbetet shtet relativisht i dobët. Progresi i saj i ardhshëm ekonomik varet sa prej hapjes së sistemit të vet politik, ashtu edhe prej hapjes së ekonomisë. Pa transformimin e saj, mungesa e mekanizmave institucionalë për shprehjen dhe organizimin e pakënaqësisë në fund do të prodhojë konflikte të cilat do të jenë përtej kapacitetit të qeverisë për t’i shtypur ato. Stabiliteti politik dhe rritja ekonomike do të pësojnë.
Megjithatë Rusia dhe Kina janë ekonomi të fuqishme. Shembulli i tyre mund të ndikojë tek liderët gjetkë që të mendojnë se mund të arrijnë rritje ekonomike, duke i përforcuar frerët mbi opozitën e brendshme politike.
Ta marrim Turqinë, një fuqi ekonomike në ngritje në Lindjen e Mesme, e cila dukej e përkushtuar deri kohë më parë që të bëhej e vetmja demokraci myslimane e rajonit. Gjatë mandatit të tij, kryeministri Recep Tayyip Erdogan i hoqi disa kufizime mbi pakicën kurde dhe miratoi reforma që e harmonizonin regjimin ligjor të shtetit me normat evropiane.
Mirëpo kohët e fundit Erdogan dhe aleatët e tij kanë ndërmarrë një fushatë të maskuar për përndjekjen e kundërshtarëve dhe përforcimin e kontrollit të qeverisë mbi mediat e institucionet publike. Ata kanë burgosur qindra oficerë ushtarakë, akademikë dhe gazetarë në bazë të akuzave të fabrikuara për nxitje të terrorizmit dhe përgatitje të komploteve. Aq e përhapur është fushata e përgjimeve të kritikëve të Erdoganit, saqë ka njerëz që besojnë se ky shtet është kthyer në një “republikë të frikës”.
Ky kthim nga autoritarizmi nuk do t’i shkojë për shtati ekonomisë turke, me gjithë themelet e fuqishme të saj. Një gjë e tillë do të ketë efekte negative mbi cilësinë e politikëbërjes, duke e vënë po ashtu në rrezik pozitën globale ekonomike të Turqisë.
Superfuqitë ekonomike duhet të marrin shembull nga shtetet si Brazili, India dhe Afrika e Jugut, të cilat i kanë kryer transicionet e tyre demokratike. Që të gjitha këto shtete natyrisht se kanë probleme. Brazili ende nuk është rimëkëmbur nga dinamizmi ekonomik dhe nuk e ka gjetur rrugën drejt rritjes rapide. Demokracia e Indisë është aq e fuqishme saqë u bën ballë ndryshimeve ekonomike. Në anën tjetër, Afrika e Jugut vuan prej një niveli tejet të lartë të papunësisë.
Megjithatë, këto sfida nuk janë asgjë krahasuar me detyrat e mëdha të transformimit institucional, të cilat i presin shtetet autoritare. Mos u befasoni nëse Brazili ia kalon Turqisë, Afrika e Jugut ia kalon Rusisë dhe India ia kalon Kinës.

(Autori, profesor i ekonomisë politike në shkollën për qeverisje “John F. Kennedy” të Universitetit të Harvardit, është shpërblyesi i parë i çmimit “Albert O. Hirschman” për hulumtime në shkenca shoqërore. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›