“Mitingje” për letërnjoftimet, radhë të gjata në Kombinat
Lënia e shenjave të gishtave nuk sjellë zakonisht kaq radhë, por, dje në të gjitha njësitë bashkiake të kryeqytetit, qindra qytetarë prisnin për të përfunduar procesin e nisur. Kishte lënë punën për dhjetë minuta, në mënyrë që të dorëzonte dokumentacionin e nevojshëm në njësinë bashkiake numër 6, e për t’u pajisur me letërnjoftimin e ri. Por, i duhej të priste shumë më gjatë. E takuam në orën tre në Kombinat, ku priste për orën e dytë radhazi, e nga shihte një rresht njerëzish që niste nga trotuari e përfundonte brenda në mjediset e njësisë bashkiake.
Brenda njësisë ishte e pamundur të hyje. Qytetarët që kishin orë të tëra në pritje, sa shihnin dikë hileqar, që tentonte të zinte radhë përpara tyre, i turreshin për ta ndaluar, e për t’u kthyer sërish në qetësinë e rreshtit të zgjatur, që herë-herë ndërpritej nga ofshamat e lodhjes së të qëndruarit në këmbë.
Anilda vazhdonte të priste në radhë. “Nuk kam ndërmend të iki sot. Dje kalova, pashë shumë njerëz dhe mendova se ishte diçka e rastësishme dhe se sot do të kishte më pak. Por, siç po shoh nuk ka shanse që të përfundojë procedurën nëse e lë për ditët e tjera. Ndaj, prita që prita dy orë, le të presë sa të përfundojë dhe radha”, – na thotë me shpejtësinë e njeriut që në orët e fundit kishte folur vetëm për të ndaluar ndokënd që i kalonte para, ose për të sharë askëndin, që e vononte.
Kryetarja e njësisë bashkiake numër 6, znj. Luzhiana Abazi, tha dje se për shkak të një defekti të krijuar një ditë më parë në kompjuterët e gjendjes civile, përpara njësisë janë krijuar “mitingje të vogla” në pritje për të dorëzuar dokumentacionin. “Ka një interes të paparashikuar të publikut”, – tha ajo. “Sot është krijuar situata më e ngarkuar për punonjësit dhe qytetarët, pasi radha është shumë e gjatë. Këtu është si miting, e jo si dorëzim dokumentacioni. Aq shumë njerëz ka”.
Të rraskapitur në radhët e gjata, duhet të qëndrojnë edhe të moshuarit, të cilët duhet të paraqiten personalisht për të dhënë shenjat e gishtave, skanimin e syve dhe firmën personale. “Unë edhe mund të durojë, por çfarë mund t’i them mamasë time, që është 70 e kusur vjeçe; t’i them të vijë dhe të presë këtu sa të mbarojnë të gjithë se ka vetëm dy persona që merren me kartat?”, – na thotë Behije Gorxhaj në orën e dytë të pritjes.
Problemet e hasura kanë qenë të paparashikuara si për instancat shtetërore ashtu edhe për pushtetin lokal. Kryetari i njësisë bashkiake numër 10, Gerti Bogdani, u shpreh se “një fluks i tillë ishte i pamenduar”. Por sipas tij, gjatë kësaj jave fluksi është përballuar, në ndryshim nga java e parë, kur ishin qindra aplikues. “Vetëm dje u morën 240 aplikime nga njësia jonë”, – deklaroi Bogdani. “Por, tashmë situata është normalizuar”. Ndërkohë kryetarja e minibashkisë së Kombinatit tha se “qytetarët për arsye personale kanë përzgjedhur ditët e para për të përfunduar këtë procedurë, duke krijuar një situatë të mbingarkuar”, - ndërkohë që deklaroi se “duhet të gjendet zgjidhje sa më parë, në mënyrë që të gjithë qytetarët të shërbehen sa më mirë dhe sa më shpejt”.
“Normalisht duhet të marrin më shumë njerëz, se edhe ato vajzat aty çfarë të bëjnë më parë”, – thotë Indrit Halimi, i cili ishte së bashku me familjen në radhë, duke pritur që të hynte brenda njësisë bashkiake. “S’kam ç’të bëj, do pres sa të përfundojnë me të gjithë”, – na thotë një tjetër person që priste në trotuar.
Sipas znj. Abazi, nevojitet rritja e punonjësve nëpër qendrat që merren me dokumentacionin e certifikatave, pasi numri aktual e bën të pamundur shërbimin e të gjithë qytetarëve. “Në të kundërt, – thotë ajo, – duhet t’u themi të gjithë punonjësve tanë të punojnë 14 orë në ditë, shtatë ditë në javë, pasi fluksi nuk përballohet”.
Sipas kryetarëve të njësive bashkiake, qytetarët në zonat e tyre do të pajisen të gjithë me karta identiteti, e për këtë kanë angazhuar të gjithë dinamikën që kanë në dispozicion. Gerti Bogdani deklaroi dje se tashmë në asnjë minibashki nuk është e nevojshme pagesa e taksave për t’u pajisur me karta identiteti. “Edhe në njësinë tonë kemi parë se kjo nuk funksionon, prandaj e kemi shfuqizuar si vendim”, – thotë znj. Luzhiana Abazi.