E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdoruesit e drogës arrijnë në 40 mijë, vetëm dy qendra trajtuese



Shifrat e përdoruesve të narkotikëve në vendin tonë kanë pësuar rritje. Në të gjithë vendin numërohen 40 mijë të tillë. Më problematike situata paraqitet tek prirja në rritje për përdorimin e drogave sintetike, si amfetamina apo ekstaza, të cilat prodhohen edhe përmes medikamenteve të ndryshme. Ndërkohë që trajtimi kurativ i kësaj kategorie vështirësohet akoma më shumë si shkak i mungesave të qendrave trajtuese. Kanë qenë pikërisht këto shqetësime që ka mbledhur në një tryezë të përbashkët, të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë përfaqësues të disa dikastereve, si dhe të disa shoqatave jo qeveritare.

Trajtimi

Pasi paraqiti prevelancën e fenomenit të drogës në vendin tonë, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u ndal kryesisht tek mungesa e qendrave trajtuese. Sipas saj, janë vetëm dy qendra trajtuese për këto kategori. “Operojmë vetëm me një strukturë trajtuese adiktive publike, Klinika Toksikologjike me kapacitet vetëm 10 shtretër dhe me modesti modalitetesh (ndërhyrje në krizë dhe detoksifikim), e cila përgjatë karrierës së saj aktive (që më 1995-ën) ka trajtuar një numër relativisht të ndjeshëm toksikomanësh, rreth 14.000”. Më tej Godo vijoi: “Një tjetër institucion trajtues është Komuniteti Terapeutik Rehabilitues Emanuel, e cila ka trajtuar rreth 300 pacientë me efektshmëri të kënaqshme (numri i relapseve i pandjeshëm)”. Ajo pohoi se megjithëse vetëm dy qendra janë të pamjaftueshme për trajtimin e këtij kontingjenti, po shikohet mundësia që me transferimin recent të vetmes klinikë toksikologjike publike, nga varësia e Ministrisë së Mbrojtjes, në atë të Ministrisë së Shëndetësisë, përbën zgjidhjen e një handikapi frenues për këtë shërbim, do të hap rrugën për ngritjen e institucioneve të tjera, përbërëse të zinxhirit trajtues.

Gjithashtu një shoqatë joqeveritare ka rreth 2 vjet që ka ndërmarrë implementimin e të parit program të terapisë mbajtëse me metadon, në kushte optimale ku janë përfshirë deri më sot rreth 250 toksikodipendentë.

“Jemi koshientë se vetëm kaq është e pamjaftueshme për të përballuar sfidën në frontin e kërkesës për drogë. Në kushte të tilla, jemi duke punuar për ngritjen e infrastrukturës trajtuese bashkëkohore. Projekti më i fundit i Ministrisë së Punëve Sociale italiane për ngritjen në Tiranë të një qendre semirezidenciale antidrogë, të Ministrisë sonë të Shëndetësisë me Shkollën Alkoologjike të Udines (Itali) për ngritjen e shërbimit alkoologjik pranë QSUT-së”, - u shpreh Godo.

Shifrat

Nga vëzhgimet dhe studimet e fundit konstatohet një rritje e preferencave për substanca sintetike të tipit të amfetaminës (ekstazi, metamfetaminë). Substancat psikoaktive që përdoren më shumë janë prodhimet e kanabisit, rreth 65%, përdoruesit e opiateve, kryesisht të heroinës, janë 20-25% (një pjesë e konsiderueshme e të cilave administrohet intravenoz, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme) si dhe rreth 10% janë përdorues të kokainës.

Gjelbërimi

Mbillen 70 pemë në rrugën “Ndre Mjeda”

Përmirësimi i cilësisë së mjedisit në kryeqytet, ka vijuar edhe dje me gjelbërimin e rrugës "Ndre Mjeda'' përgjatë së cilës u mbollën 70 pemë të llojit bli aromatik. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet tha: "Mbjellja e pemëve mbetet gjithmonë një lajm i mirë për një Tiranë që ka nevojë të rrisë dita ditës përmasën e gjelbër, në një kryeqytet ku pemët përfaqësojnë jo vetëm dëshirën për të jetuar në një mjedis më të mirë, por njëkohësisht edhe kurajon për të parë një të ardhme të gjelbër për kryeqytetin''.

“Dialog për buxhetin”

Shalsi, tur në Tiranë për mosmiratimin

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, ka vijuar turin në kryeqytet për të treguar problemet e krijuara me mosmiratimin e buxhetit. Dje, ai është paraqitur në njësinë nr. 6 për të treguar investimet që janë paralizuar. Sipas tij, mosmiratimi i buxhetit për banorët e njësisë bashkiake nr. 6 në kryeqytet ka sjellë një sërë pengesash ndër të cilat Bashkia e Tiranës ka planifikuar edhe ndërtimin e kanalizimit në rrugën “Hazbi Serrani” në zonën përballë kombinatit të drurit “Misto Mame”. “Kërkesës së përsëritur së këtyre banorëve, ne i jemi përgjigjur duke përfshirë në buxhetin e vitit 2009 projektimin dhe fillimin e investimit të ndërtimit të këtij kanalizimi jetik për këta banorë të cilët votojnë si kryeqytetas dhe meritojnë të jetojnë si kryeqytetas”, - është shprehur Shalsi, duke theksuar: “Politikat e vjetra të dy partive, PD dhe LSI, e rrëzuan këtë buxhet që do të zgjidhte edhe këtë hall të këtyre banorëve, sepse atyre hallet e banorëve u interesojnë vetëm për të bërë politikë dhe për të sulmuar kundërshtarin”. Njësia bashkiake nr. 6 drejtohet nga Luzhjana Abazi e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›