E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet kryeinspektori i ri; Replika mes Duros dhe Miços për largimin nga puna



Replika në distancë kanë ndarë ministri i Punës, z. Anastas Duro dhe ish-kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, z. Thoma Miço. Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të institucionit, Thoma Mela, ministri Duro rreshtoi një sërë akuzash ndaj ish-kryeinspektorit, duke përmendur ankesat e vazhdueshme të bizneseve.

Pak orë më vonë, Miço reagoi ndaj deklaratave të ministrit Duro, duke thënë se të gjitha këto akuza ishin të pavërteta. Sipas Miços, ministri Duro nuk e pushoi nga puna, por vetë Miço dha dorëheqjen.

Sipas ministrit Duro, deklaratat e Miços për dorëheqje ishin bërë pas shkarkimit, me qëllim për të fshehur arsyet e vërteta të këtij shkarkimi nga posti i inspektorit të Përgjithshëm.

“Njoftimin për shkarkimin e kam marrë vetëm nëpërmjet mediave, pas dorëheqjes sime”, – reagoi Miço. Ministri Duro deklaroi se propozimin për shkarkimin e drejtuesit më të lartë të Inspektoratit e kishte mbështetur në shkeljet e përsëritura të Miços në drejtimin e ISHP. Ai renditi ankesat e përfaqësuesve të biznesit për kontrolle tendencioze, selektive dhe të dubluara, të urdhëruara nga inspektori i Përgjithshëm, të cilat, pas verifikimeve, rezultuan të vërteta.

Por Miço reagoi duke thënë se asnjë vërejtje nuk i është bërë gjatë gjithë periudhës në ministri. “Theksoj se gjatë tre viteve që drejtoj këtë institucion nuk kam pasur asnjë vlerësim negativ të punës dhe asnjë vërejtje negative nga eprori”, – tha Thoma Miço. “Zoti Duro në shkelje të hapur të ligjit hartoi një akuzë me shpifje nga më banalet që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. Ai ende nuk më ka vënë në dispozicion kërkesën e tij me akuzat për lirimin tim”.

Po ashtu, Ministri theksoi se, “ish-Inspektori i Përgjithshëm Miço prej disa kohësh ishte bërë pengesë në funksionimin e Komisionit Qendror të Apelimit të Gjobave, me kërkesën e paligjshme që të ishte vetë drejtues i këtij komisioni, detyrë që ishte në konflikt interesi me atë të Inspektorit të Përgjithshëm”.

Personat me aftësi të kufizuara

Rritet numri i përfituesve të pensioneve

Është rritur ndjeshëm numri i përfituesve të pensioneve për personat me aftësi të kufizuara. Burime nga Shërbimi Social Shtetëror bëjnë të ditur se tashmë, vetëm në Tiranë janë rreth 9 mijë përfitues. Sipas specialistëve të SHSSH, kjo është arritur për shkak të disa ndryshimeve ligjore që kanë përmirësuar situatën. Kështu është hequr kufiri 0-21 vjeç që kushtëzonte përfitimin e pagesës, si edhe janë përfshirë të gjithë të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, në ndryshim nga më parë kur përfitonin vetëm ata persona me dëmtime të shtyllës kurrizore. Një tjetër arsye e rritjes së numrit të kërkesave është ndërgjegjësimi i familjarëve të personave me aftësi të kufizuar, për t’i deklaruar ata si të tillë e jo më për t’i fshehur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›