Mitingjet, paralizohen rrugët e kryeqytetit
TIRANE-Rrugët e Tiranës ditën e djeshme janë paralizuar plotësisht nga trafiku. Kjo, për arsye se aksi kryesor, "Dëshmorët e Kombit" është bllokuar për shkak të një mitingu elektoral, por dhe me rastin e ardhjes së kryeministrit turk. Duke qenë se bulevardi kryesor ishte i papërdorshëm, makinave u duhej të bënin dyfishin e rrugës. Trafiku nuk ka qenë i bllokuar vetëm në rrugët kryesore, por edhe në ato dytësore dhe në rrugicat e lagjeve, pasi për të shmangur tra-fikun, shumë drejtues automjetesh hynin në rrugica lagjesh. Por, situata në rrugët e kryeqytetit pritet të jetë akoma më problematike ditën e sotme, për shkak se të dyja forcat më të mëdha politike do të zhvillojnë mitingjet e tyre përmbyllëse në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ndaj, për të eliminuar stresin e pritjes pafund në trafik, do ishte më mirë që të eliminohet lëvizja me automjete. Ndërkohë që problem për trafikun që krijohet në rrugët e Tiranës janë edhe makinat e militantëve të partive të ndryshme politike, të cilët lëvizin me flamuj nëpër rrugë dhe shpesh herë bllokojnë lëvizjen e makinave të tjera, pasi rrinë në autokolonë.
(d.b/BalkanWeb)