Mitingu i PS-së, Vasili urdhëron spitalet e Tiranës të jenë në gatishmëri

Tiranë, 20 nëntor NOA Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka urdhëruar sot të gjitha spitalet e Tiranës të jenë në gatishmëri për të siguruar shkërbim urgjence 24 orësh për mitingun e paralajmëruar të Opozitës.
Vasili iu referua nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe ligjin nr. 10108, datë 30.03.2009 Për shërbimin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, për sigurimin e shërbimit shëndetësor për mitingun e paralajmëruar të opozitës, për të lëshuar këtë urdhër.
Drejtoria e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Tiranë, të marrë masat për të siguruar shërbim urgjence 24 orësh, për mitingun e paralajmëruar të opozitës, fillon në Tiranë, nga data 20 Nëntor e në vazhdim.
Drejtoritë e QSUT, Spitalit Universitar Shefqet Ndroqi, si dhe Spitaleve Universitare Obstetrik - Gjinekollogjik Mbretëresha Geraldinë dhe Koço Glozheni, të marrin masat përkatëse për pritjen dhe mjekimin e rasteve të mundshme, të paraqitura në spitalet përkatëse.
Ngarkohen Drejtoria e Shëndetit Publik dhe Drejtoria e Planifikimit Spitalor, për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri thuhej në urdhrin e lëshuar sot nga kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
k.k/NOA