Mitrovicë, arrestohen 8 të persona për tentivë-vrasje

Një aksion i Policisë së Kosovës në Mitrovicë ka vendosur në pranga 8 persona të rrezikshëm, ku ndër të tjera dyshoheshin për vrasje të mbetura në tentativë.
Hetuesit policorë nga drejtoria e krimeve të rënda gjatë hetimeve intensive lidhur me këtë rast kanë arritur të identifikojnë personat e dyshuar dhe sot me mbështetjen e Njësive speciale operative dhe Njësisë Speciale Intervenuese, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Mitrovicës, duke kryer bastisje në gjashtë lokacione dhe kanë arrestuar 8 persona me dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “ Vrasje në tentativë, vjedhje të veturave dhe dhënie e ndihmës pas kryerjes së veprës penale”.
Personat e arrestuar janë: Bajram S. (1978), Muhamet M. (1977), Arsim S. (1980), Fevzi P. (1987), Remzi M. (1983), Shkelzen E. (1988), Faton P. (1987) dhe Mehdi P (1971). Të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë nga Kosova.
Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë konfiskuar: Një armë automatike AK 47; 20 fishekë të kalibrit 7.62 mm; 6 fishekë të kalibrit 9 mm dhe dokumente të veturave që dyshohet se janë të vjedhura.
Në kuadër të procedurës hetimore policia ka bllokuar disa vetura për të cilat dyshohet se janë të vjedhura. Veprimet policore në këtë operacion janë kryer bazuar në urdhëresën e Gjykatës së Qarkut në Prishtine dhe me autorizim të prokurorit të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.