E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujësjellësi në pronësi të Bashkisë? Basha nesër i`a propozon Këshillit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha do t`i propozojë nesër Këshillit Bashkiak të Tiranës marrjen në pronësi nga Bashkia e Tiranës të aksioneve të saj të Ujësjellës - Kanalizimeve sh.a, Tiranë. Lajmi është konfirmuar në një njoftim për shtyp nga bashkia, e cila thekson kjo nismë është vazhdimësi e marrjes së përgjegjësive nga ky institucion për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Një nga këto përgjegjësi është edhe furnizimi me ujë të pijshëm i qytetarëve të Tiranës.
 

Në mbledhjen e nesërme, Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë projekt-vendimin "Për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011", prej rreth 357 milionë lekësh, i cili në bazë të ligjit "Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë", trashëgohet në vitin pasardhës. Fondi i trashëguar nga viti 2011, do të alokohet 56% për investime dhe 37% për shpenzime korente, në programet kryesore të zhvillimit të qytetit, ndërsa 7% e këtij fondi do të jetë transfertë për Njësitë Bashkiake.

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, do të shqyrtohet propozimi i Kryetarit të Bashkisë për zmadhimin e kapitalit të Klubit të Futbollit "Tirana sh.a". Ky vendim parashikon dhënien e një shume prej 80 milionë lekësh Klubit të Tiranës, i cili do të përdoret për nevojat e klubit, si për përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e Akademisë, përmirësimin e kushteve të stërvitjes, rinovimin e bazës materiale e nevoja të tjera të adresuara nga drejtuesit e Klubit të Futbollit të "Tiranës".
 

Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë në mbledhjen e nesërme edhe propozimin: "Për krijimin e Qendrës Sociale "Shtëpia e Përbashkët". Kjo Qendër ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake numër 11 në Laprakë. Në këtë Qendër do u ofrohen shërbime të ndryshme kategorive në nevojë, si informim, këshillim, asistencë ligjore, etj.
 

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha do t`i paraqesë Këshillit propozimin për vendosjen e pllakës përkujtimore, në banesën ku ka jetuar Artisti i Popullit ("Nder i Kombit") Kadri Roshi, konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›