E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, larje hesapesh mes grupeve, 1 i vdekur, 1 i plagosur

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur pas një sulmi me armë zjarri, pak pas mesditës në qendër të Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i cili ka bërë të ditur se grupi i sulmuesve, i përbërë nga të paktën katër persona, ka përdorur tre lloje të ndryshme armësh për të ekzekutuar sulmin.

Incidenti, sipas tij, ka ndodhur pasi sulmuesit me veturën e tyre kanë bllokuar veturën në të cilën gjendeshin viktimat.

Hoti deklaroi se po punohet për identifikimin e sulmuesve të dyshuar, ndërsa shtoi se deri tani nuk është arrestuar asnjë person i dyshuar.

“Deri në këtë moment nuk është arrestuar askush, ndërsa motivet besohet të jenë të karakterit kriminal. Besohet se të dyja palët kanë pasur një përleshje të mëhershme dhe kjo besohet të jetë rezultat i asaj zënke të mëhershme”, ka thënë ai.

Mësohet se të dyja palët e përfshira në incident janë të përkatësisë etnike shqiptare.

Hetimet për këtë rast thuhet se po udhëhiqen nga Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›