E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, nis rindërtimin i shtëpive

Mitrovicë-Në veriun e Mitrovicës filloi sot rindërtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara në luftën e para 10 vjetëve në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku pritet të kthehen banorët shqiptarë. Para dy javësh janë kthyer pesë familjet e para shqiptare në lagjen tjetër veriore, “Lugina e Doktorëve”, në shtëpitë e rindërtuara. “Njerëzit kanë të drejtë të ndërtojnë dhe të jetojnë në pronat e tyre”, deklaroi sot kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi. “Komuna përkrah brenda mundësive të gjithë ata që duan të kthehen në pronat e tyre pa kurrfarë dallimi etnik”, shtoi ai.

Fillimi i rindërtimeve në lagjen “Kroi i Vitakut” pason vizitën e djeshme në Mitrovicë të diplomatëve nga Grupi i Kontaktit Plus, të Britanisë së Madhe, Italisë dhe Rusisë, të akreditur në Kosovë, të cilët shprehën vullnetin të ndihmojnë procesin e rindërimeve në veri, për kthimin e banorëve në shtëpitë e veta. Sipas autoriteteve të Mitrovicës, nga veriu i këtij qyteti të ndarë janë dëbuar së paku 12 000 shqiptarë, ndërsa kthimi i tyre kundërshtohet nga ekstremistët serbë, të cilët u kanë uzurpuar pronat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›