E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovicë, polici qëllohet me snajper në kokë

UPDATE- Serbët kanë sulmuar me armë zjarri pjesëtarët e njësitit special, ndërsa ishin duke u rikthyer në veri. Duke cituar burime policore, e përditshmja kosovare Express njofton se një polic është plagosur rëndë, pasi është qëlluar nga largësia me snajper.
Sulmi ka ndodhur në rrugën Kushtovë – Zubin Potok.

Polici është sjellë me një plumb në kokë në Qendrën Emergjente në Mitrovicë, ka konfirmuar për Express një mjek I qendrës spitalore.

Si pasojë e gjendjes së tij të vështirë shëndetësore, si është nisur me urgjencë drejt Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Kosovë, policia tërhiqet. Sulmohet nga serbët Njësitet e Policisë Speciale të Kosovës kanë nisur të tërhiqen nga pika kufitare e Jarinjës dhe Bërnjak, ndërsa gjatë tërheqjes janë sulmuar nga serbët e armatosur në Zubin Potok. Tani për tani nuk ka informacione nëse ka të vrarë apo të plagosur. Lajmin e jep agjencia “Kosova press”, sipas te ciles, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke biseduar që të tërhiqen edhe nga pika kufitare në Jarinje, por që kjo tërheqje të bëhet pa pasoja.
Burimi nuk specifikon se nga kush është dhënë urdhrin për tërheqje, por para dhënies së urdhrit është arritur një marrëveshje mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Byler. Po ashtu Byler ka zhvilluar një takim edhe me kreun e delegacionit serb në bisedime me Kosovën, Borko Stefanoviq. 

Sipas marrëveshjes kontrollin kufitar në dy pikat do ta merr policia e rregullt e Kosovës dhe punonjësit doganor, ndërsa Stefanoviq ka garantuar se pas tërheqjes së Njësisë Speciale, serbët do të zhbllokojnë rrugët.

Terhiqen forcat speciale, vendoset KFOR-i

Pas terheqjes atje janë vendosur forca të policisë kufitare të mbështetura nga KFOR.

Aktualisht vijojnë negociatat midis përfaqësuesve të Prishtinës, NATO-s dhe Beogradit për gjetjen e një  kompromisi. Qeveria e Kosovës nuk ka konfirmuar zyrtarisht këtë ndryshim të situatës në terren dhe ndërrimin e detyrave, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi për pasdite ka paralajmëruar një deklaratë për mediat.
Një zëdhënës i NATO-s në Kosovë tha se aleanca ushtarake po përpiqet që të negociojë fundin e lëvizjes së befasishme në njësive speciale të policisë për të marrë kontrollin në dy pikat kufitare me Serbinë.

Arritja e një marrëveshje përfundimtare pritet pasdite, kur do të vijojnë takimet dhe negociatat midis palëve. Në Mitrovicë po qëndron kryeministri Hashim Thaçi, ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi dhe ai i jashtëm, Enver Hoxhaj, ndërsa në pjesën veriore po qëndron edhe shefi i grupit negociator serb, Borislav Stefanoviq.

Zëdhënësi, Ralf Adametz, cituar nga INA,  i ka thënë agjencisë Associate Press, se “aleanca është duke negociuar ngrirjen e aksionit të Qeverisë” për të marrë kontrollin në pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për të vënë nën kontroll këto pika kufitare, për të bërë kështu të mundur zbatimin e vendimit të embargos ndaj mallrave të Serbisë.

Serbët lokal të mbështetur nga grupe paramilitare dhe kriminale kanë vijuar me bllokadat e rrugëve që shpiejnë në dy vendkalimet kufitare 31 në Bërnjak dhe 1 në Jarinjë.

BE, Ashton: Qetësoni situatën Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit.

“Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku ishim, ka thënë zonja Kocijançiq, duke nënvizuar se misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë për ta bërë një gjë të këtillë.

Duhet të kthehemi aty ku ishim, për të qetësuar situatën dhe për të vazhduar punën rreth dialogut, ka thënë Kocijançiq, për Radion Evropa e Lirë, duke shprehur bindjen se çështja e vulave dhe tregëtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.

Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.

Policia e Kosovës në veri, kontroll në dogana Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion për futjen nën kontroll të pikës kufitare 1 dhe 31 që gjenden në pjesën veriore të Kosovës. Lajmin e jep ministri i Punëve të Brendshme, Bajram  Rexhepi, i cili sqaron se forcat policore kanë marrë kontrollin edhe në pikën 1 në Jarinje.

Kemi pritur se mund të ketë vështirësi. Por, situata është  qetë. Tani është shtrirë sovraniteti, dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi për mediat lokale ka konfirmuar se për aksionin nuk ka pasur fare koordinim me EULEX-in, i cili është përgjegjës për kontrollin e pikave kufitare në veri, meqë autoritetet e Prishtinës, për shkak të kundërshtimit të serbëve lokalë, nuk kanë arritur të shtrijnë kontrollin atje.

Ai ka thënë se “situata është e tensionuar, por forcat e rendit janë të përmbajtura për të mos lejuar përshkallëzimin e saj”.

Në anën tjetër, lideri i serbëve lokalë të Mitrovicës , Radenko Nedeljkoviq ka konfirmuar se policia e Kosovës e ka marrë nën kontroll pikën kufitare në Bërnjak, apo porten 31.

Ndërkaq, edhe zyrtarët kosovarë kanë bërë më dije, se pika tjetër në Jarinë nuk është futur nën kontroll, ndërkaq që një turmë serbësh nga Zubin Potoku është nisur në drejtim të kësaj pike.

Aksioni i policisë vjen disa ditë pas vendimit të qeverisë për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë duke pamundësuar kështu hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Por, vetë autoritetet kanë pranuar se ky vendim mund te sfidohet në pikat 1 dh 31, për shkak të moskontrollit te duhur të pikave kufitare.

Duhet të kuptohet se Kosova është një njësi territorial dhe ligjet vlejnë në krejt territorin. Nuk mund të ketë dy zona doganore. Vendimi është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kemi shkuar atje për ta implementuar në tërësi vendimin për reciprocitetin,” ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Ivanoviq: Situata mund të eskalojë

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq ka paralajmëruar se situata në veri të Kosovës mund të “eskalojë”.

Situata është mjaft e tensionuar, ai është një gjest i pamenduar për të cilën nuk ka asnjë shpjegim,” ka thënë Ivanoviq, duke komentuar vendimin e Prishtinës për dërgimin e njësive special të policisë në vendkalimet kufitare.

Ai tha se ka folur me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe se pret përgjigje nga KFOR-i dhe EULEX-it.

Ivanoviq tha se “tensioni kryesor pritet në mëngjes” dhe se ekziston rreziku që situata “të përshkallëzohet.

Thaçi shkarkon Maliqin

Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje te Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që të shkarkojë Reshat Maliqin nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.  Nuk janë dhënë detaje në lidhje me arsyen e shkarkimit. (Rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›