E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha vlerëson qëndrimet e faktorit shqiptarë në Maqedoni

Kryeministri Berisha e uroi zotin Thaçi për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni dhe vlerësoi qëndrimin konstruktiv dhe pro integrimit euroatlantik që PDSH, por edhe partitë e tjera shqiptare demonstruan gjatë fushatës elektorale në Maqedoni.

Nga ana e tij, Thaçi e uroi Kryeministrin Berisha për përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor të zgjedhjeve vendore të 8 maji, si dhe për fitoren në Tiranë. Më tej, ai e falënderoi Kryeministrin edhe për kontributin e rëndësishëm në shërbim të çështjes kombëtare që Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë luajtur dhe vijojnë të dëshmojnë në të gjitha zhvillimet si në Maqedoni, ashtu edhe në rajon.

Në takim u ripohua se integrimi euroatlantik është dhe mbetet ideal kombëtar dhe interesi më i mirë i jetës dhe të ardhmes së shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë, që përcakton një detyrim madhor, për të cilin duhet të punojnë me vendosmëri të gjitha forcat politike shqiptare.

Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, Kryeministri Berisha tha se ky ishte një proces tërësisht transparent, bazuar mbi parimin themelor se vota e lirë e çdo qytetari duhet numëruar. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-26 15:57
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›