Mitrovicë, serbët protestë kundër hapjes së zyrës administrative në veri

Forcat të mëdha sigurie kanë rrehtuar sot Mitrovicën pas paralajmërimeve të strukturave paralele serbe, për të kundërshtuar hapjen e zyrës administrative të Kosovës në veri.
Policia në Mitrovicë ka theksuar se si në çdo protestë tjetër edhe në këtë, është shtuar numri i pjesëtarëve të policisë. Ata janë vendosur në të dy urat mbi Ibër. Vihet re edhe prania më e madhe e forcave ndërkombëtare, si të KFOR-it ashtu edhe të EULEX-it.
Mbajtjen e protestës e kanë paralajmëruar dhe organizuar strukturat paralele serbe të përkrahur nga të ashtuquajturit 4 kryetarë të komunave të veriut si dhe të të ashtuquajturit Qark i Mitrovicës.
Protesta do të mbahet kundër vendosjes së institucioneve të Kosovës në veri të vendit. Ndërsa hapja e zyrës administrative në veri të Mitrovicës nuk dihet nëse do të ndodhë sot apo është shtyrë për ndonjë ditë tjetër.