Mjaft: Qeveria ka shpërdoruar 16 miliardë lekë
Tiranë- Lëvizja Mjaft ka bërë publik raportin e saj monitorues ndaj 14 ministrive dhe ka arritur në përfundimin se shumica e tyre kanë shpërdoruar fondet.
Monitorimi është kryer për vitin 2011 dhe tregohet se mungon transparenca financiare, si dhe janë marrë disa nisma ligjore të cilat pasqyrojnë interesa të padeklaruara të bizneseve.
Sipas Mjaft akoma më shqetësues është fakti që brenda një viti janë djegur në total nga të gjitha ministritë 6.9 miliardë lekë. Ndërsa nëse krahasohet buxheti i shtetit i bërë publik dhe shpenzimet e tij shihet se diferenca është 16 miliardë lekë. Ekspertët e Mjaft tregojnë se shumica e fondeve të djegura ishin planifikuar të investoheshin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Raporti vëren gjithashtu se para zgjedhjeve vendore të 8 majit, ka patur spekulime me karakter politik të buxhetit të shtetit, shtim të pazakontë të investimeve para zgjedhjeve si dhe ndarje të pabarabartë të grantit për pushtetin vendor në favor të njësive të qeverisjes vendore të kontrolluara nga qeveria. Para zgjedhjeve për pushtetin vendor vihet re rënie drastike e të ardhurave nga taksat vendore, gjë që reflekton shkallën e angazhimit politik të të punësuarve në këto njësi në mbështetje të krerëve që më së shumti kanë rikandiduar dhe rizgjedhur- thuhet në deklaratën e Lëvizjes Mjaft.
Raporti vë në dukje se qeveria rriti taksat mbi qytetarët për të përballuar shpenzimet e veta me karakter politik, siç qe rritja e pagave dhe pensioneve e pambuluar me rritje të të ardhurave të buxhetit.
Njëtjetër problematikë në institucionet publike është dhe mungesa e aksesint në informacionet zyrtare pasi janë dërguar 100 kërkesa dhe janë kthyer vetëm 5 përgjigje.