E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjaft apel nderkombetareve

Lëvizja “Mjaft” i drejtohet të gjitha përfaqësive të huaja në Tiranë të marrin një qëndrim të qartë për cfarë ndodhi më 21 Janar.

“Lëvizja “Mjaft” beson fuqishëm -thuhet në deklaratë- se ju keni qenë kontribues domethënës në mbështetjen e vlerave demokratike dhe vazhdimisht keni dhënë ekspertizën tuaj për të lejuar lulëzimin e demokracisë në vendin tonë”.

“Mjaft” vecon tre cështje shqetësuese, mes shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut gjatë ngjarjeve të 21 janarit.

“Mjaft” përmend urdhërin e lëshuar për arrestimin e gjashtë anëtarëve të Gardës së Republikës, i cili nuk është zbatuar deri tani.

Në deklaratë flitet për 114 personat e arrestuar gjatë protestave dhe që deri tani nuk ka asnjë informacion për shëndetin dhe mirëqënien e tyre.

“Dje, një prej këtyre protestuesve, Fiqiri Xibri, kreu i sindikatës së minatorëve u transportua me urgjencë në Departamentin e Neurologjisë të Spitalit Ushtarak- shkruhet në deklaratën e “Majft”- me plagë të rënda në kokë, dy ditë pasi ishte arrestuar”.

“Pavarësisht akuzave të mazhorancës se shumica e protestuesve janë kontigjent kriminal, vetem një numër shumë i vogël individësh u provua se kanë qenë të dënuar më parë”.

“Mjaft” i quan këto përgjithësime të papërshtashme me argumentin se është detyra e qeverisë të neutralizojë të tillë individë dhe të sigurojë mbarëvajtjen e të gjithë protestuesve, cka sipas “Mjaft”, thellon hendekun e krizës aktuale kushtetuese në Shqipëri.

Për lëvizjen qytetare, një tjetër shkelje e rëndë e Kushtetutës, e parimit të ndarjes së pushteteve, është mënyra se si ekzekutivi i prezantuar nga kryeministri si dhe nivelet e ndryshme të autoritetit në Ministrinë e Drejtësisë, përfshirë dhe Policinë e Shtetit, kanë shpërfillur autoritetin e prokurores së përgjithshme.

Gjithashtu, në deklaratë përmenden edhe kërcënimet e kryeministrit drejtuar Shërbimit Informativ Shtetëror. Të gjitha këto për lëvizjen “Mjaft”, sulmet kundër sistemit juridik dhe institucioneve të pavarura, nuk janë gjë tjetër vecse një autoritarizëm i amplifikuar.

“Në një vend ku institucionet kushtetuese janë një zgjatim i vullnetit të ekzekutivit, është e sigurt që po shkohet drejt portës së Diktatures. Zhvillimet aktuale autokratike, për lëvizjen “Mjaft” janë të pajustifikueshme dhe të papranueshme”, thuhet më tej në letër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›