"Mjaft!" dhe G99 kujtojnë tragjedinë e Gërdecit
Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura, Kolë Nikolla, njoftoi dje angazhimin e sindikalistëve shqiptarë në "Frontin Qytetar 15 mars", duke e marrë këtë datë si përfaqësimin më ekstrem të shkeljes së të drejtave të punëtorëve. "Nisma 15 mars është një çast në të cilin duhet të përfshihen të gjithë punëtorët, pensionistët, të rinjtë dhe të gjithë qytetarët, si një moment kulmor kur shkelja e të drejtave tona dhe tragjedia shndërrohen në pikë kthese në kërkesat për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale dhe politike", tha ai. Nikolla vërejti se në ndjekje të shembullit të aktorëve të shoqërisë civile dhe grupeve qytetare të interesit, edhe konfederata dhe sindikatat që ajo përfaqëson i bashkëngjiten këtij fronti qytetar, duke kërkuar garanci që një tragjedi e këtyre përmasave, rrjedhojë e dështimit të plotë të strukturave shtetërore, nuk do të përsëritet më. "Fronti Qytetar 15 mars" ka për qëllim sensibilizimin dhe presionin ndaj politikës dhe institucioneve të tjera ligjvënëse mbi tragjedinë e Gërdecit, një vit pas shpërthimit fatal që mori 26 jetë njerëzish. Sakaq, 11 muaj pas tragjedisë së Gërdecit, aktivistë të G99-ës: Erion Veliaj, Milva Ikonomi, Juli Hoxha, Olta Xhacka etj., të shoqëruar dhe nga aktori Gazmend Paja, zhvilluan një vizitë solidariteti te familja e Festime Hasajt, e cila ka humbur të shoqin, Benin, një punëtor i fabrikës së demontimit në Gërdec. "Përkushtimi ynë personal sot është që të vazhdojmë të ndihmojmë financiarisht këtë familje dhe familje të tjera në fshat, deri në datën 28 qershor", shpjegoi Erion Veliaj, i cili i dhuroi familjes disa ndihma të mbledhura me kontribute vullnetare të G99-ës.