Mjaft-i përkujton 20 vjetorin e FRESSH-it
Po përmbyllet aktiviteti antisocialist i Lëvizjes “Mjaft”. Pas vite përpjekjesh, nën dirigjimin e Edi Ramës, tani është mbërritur në fazën e fundit, atë të uzurpimit të kështjellës partiake dhe shpalljes së lëvizjes ideologjike për Krijimin e Njeriut të Ri Edvinist
7 vjet më parë Lëvizja “Mjaft” luftoi qeverinë e ish kryeministrit Fatos Nano si dhe akuzoi për korrupsion jo vetëm kryetarin e Qeverisë së atëhershme, por edhe ministra të kabinetit socialist, një pjesë e të cilëve sot ndodhen në Kuvendin e Shqipërisë, si deputetë të Partisë Socialiste. Aktiviteti social-politik i “Mjaft”-it do kulmonte në vitin 2005-ë, kur edhe protestat e organizuara nga Erjon Veliaj, Arbër Mazniku apo dhe Endri Fuga, synon largimin nga pushteti të socialistëve bashkë me kryeministrin Nano.
Arkivat televizive të periudhës 2002-2005 janë të mbushura me kronika të aktiviteteve të Lëvizjes rinore “Mjaft”, që në pjesën më të madhe të tyre kishin si qëllim të luftonin qeverisjen e korruptuar socialiste. E gjithë fushata e këtyre të rinjve ishte e organizuar për të arritur këtë synim; kur një qeveri nuk mbron dhe nuk punon për interesat e qytetarëve të vet, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile, në një shtet demokratik do të protestojë për largimin e saj.
Por në rastin e Lëvizjes “Mjaft” gjërat ndryshojnë nga ajo që kemi parë në publik. Janë pak më të ndërlikuar. Këta të rinj të zellshëm që kërkonin largimin e socialistëve nga qeverisja, i gjen të gjithë të pozicionuar brenda selisë rozë në opozitë.
Paradoksi shkon deri aty sa Forumi Rinor i Socialistëve të Shqipërisë drejtohet nga një prej aktivistëve të Lëvizjes “Mjaft”. Elisa Spiropali sot punon me të rinjtë në PS për të sjellë në pushtet Partinë Socialiste, për të cilën punoi jo pak për ta rrëzuar nga pushteti. Kryetari i Lëvizjes “Mjaft”, Erion Veliaj sot drejton në Partinë Socialiste Sekretariatin për Emigracionin dhe të Rinjtë në PS. Ai personalisht është duke punuar për të organizuar këtë javë një festë për 20 vjetorin e FRESSH, duke përdorur si moto për këtë datë fjalën “RE:FRESSH”, Rifreskim. A thua se Erioni do t’i bëjë rifreskim asaj kohe kur punonte kundër socialistëve...
Të tjerë emra që themeluan dhe drejtuan Lëvizjen “Mjaft” dhe që sot janë në poste drejtuese të PS janë Endri Fuga, Këshilltari për Mediat i kresocialistit Edi Rama. Arbër Mazniku, nënkryetari i “Mjaftit” së bashku me Veliajn janë në sekretariatin që mbulojnë marrëdhëniet me të rinjtë.
Filozofia për të cilën u krijua Lëvizja “Mjaft” është e qartë nëse shikon pozicionimin e saj. Po kaq e qartë është dhe karriera politike e kryetarit socialist Edi Rama, i cili punoi me të rinjtë e “Mjaft”-it për të penguar Partinë Socialiste që të merrte një mandat të tretë, në vitin 2005 dhe për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste, të cilën e ka lënë në opozitë prej shtatë vitesh, edhe pse të gjitha gjasat janë që të hyjë në histori si lidershipi opozitar me 12 vite në opozitë (humbja e pritshme në 2013-ën). Ndërkaq, organizimin e protestave nga “Mjaft”-i për largimin e qeverisë Nano, pak ditë më parë i konfirmoi dhe deputeti socialist Andis Harasani, i cili u shpreh se në memorien e të gjithë shqiptarëve janë pamjet kur grupe të rinjsh nën logon e “Mjaft” protestonin para Kryeministrisë me pankarta në duar kundër qeverisë socialiste si dhe momente të tjera kur po këta aktivistë të drejtuar nga Erjon Veliaj, qëllonin me vezë ministra të qeverisë.
“Nuk e kuptojë përse Rama reagon sa herë përmendet Mjafti! Do doja të mos e besoja që ka pasur lidhje. Sidoqoftë memoria nuk na ka lënë. Unë mbaj mend protestat e Mjaft-it për Albtelekomin, protestat para Këshillit të Ministrave, mbaj mend kur godisnin me vezë shumë ish-ministra të qeverisë Nano, njerëz që sot i ka në sekretariat”.
Kjo deklaratë e deputetit socialist Andis Harasani për rolin e “Mjaft”-it nuk është e vetmja nga drejtuesit e PS-së që tregojnë sesi Lëvizja “Mjaft” e drejtuar nga Erion Veliaj punoi fort, për më tepër sesa dy vite për të rrëzuar qeverinë e Fatos Nanos.
Ajo që është e vështirë të kuptohet sot, është se si është e mundur që këta eksponentë që 7 vjet më parë kërkuan rrëzimin e Partisë Socialiste nga pushteti dhe largimin e kryeministrit Nano, kanë gjetur strehë në selinë rozë, kanë marrë poste drejtuese në sekretariat dhe synojnë të rikthejnë Partinë Socialiste në pushtet në vitin 2013...!