E Diel, 1 Nëntor 2026

Tryeza, debate të ashpra mes Ramës, Gjinushit e Milos

11-01-2012 / Gazeta 55

Rama mbledh gjysmë-opozitën/E majta e nis 2012-ën e përçarë. Të vegjlit e akuzojnë PS si tendencioze në komisionin e reformës zgjedhore dhe si nismëtare të largimit të tyre nga skena politike. Gënjeshtra e madhe/Pas takimit, Preç Zogaj informon mediat: Rama dëgjoi aleatët dhe ra dakord për “korrektimin e sistemit zgjedhor”

Duket se s’ka asnjë shpresë për unifikimin e opozitës, ndërsa debatet e lindura sa i takon pretendimeve të të vegjëlve për Kodin Zgjedhor, kanë thelluar dhe më tepër çarjen mes të majtës. Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama thërriti dje në një takim informal aleatët e koalicionit të majtë, me qëllimin arritjen e një akordi opozitar dhe shmangien e krijimit të “polit të majtë politik”, i paralajmëruar ky nga dy krerët e partive kryesore të opozitës, Paskal Milo i PDS dhe Skënder Gjinushi i PSD. Gjithçka ka si pretekst shmangien e të vegjëlve nga diskutimet për reformën zgjedhore, aq më tepër kur karakteri politik i lidershipit opozitar është ai i vetmisë dhe zhdukjes së aleancave.
Në këtë sens, Rama ka tentuar dje të bindë të vegjlit në tryezën e opozitës (pa Vangjel Dulen e PBDNJ-së), me argumente sa qesharake dhe ironike se, reforma zgjedhore është prioriteti kryesor i “opozitës së bashkuar”, ndërsa alarmit të Milos dhe Gjinushit se PS po bën reformën me “kokë të saj”, Rama i ka vënë nofkën “shqetësim i kotë”, pasi sido që të jetë, reforma në Kodin Zgjedhor do bëhet edhe pa miratimin e të vegjëlve.
Ky është takimi i parë i kreut të opozitës për vitin 2012 me aleatët, i cili ka nisur si mos më keq, ku vërehen ndasitë konkrete mes të vegjëlve dhe PS-së. Aleatët e PS kanë të ngurtësuar në mendje reformën në ligjin elektoral të vitit 2008, ku Rama u akuzua se zgjodhi sistemin proporcional-rajonal për të zhdukur nga skena politike partitë e vogla. Kjo u faktua vetëm një vit më pas, pasi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009-ë, PS doli para shqiptarëve me një koalicion të cunguar, pa LSI-në dhe një pjesë të mirë të spektrit të majtë.
Në takimin e zhvilluar dje, morën pjesë kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së Paskal Milo, kreu i PLD-së Spartak Ngjela, kreu i PDK-së Nard Ndoka, kreu i PSV91 Petro Koçi si dhe politikani Preç Zogaj. Në këtë takim mungoi kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili përfaqëson forcën e vetme politike të koalicionit të PS, që ka një zë deputeti në Kuvend.
Kuptohet se punët brenda koalicionit të majtë s’janë të volitshme për aksionet politike të Edi Ramës, i cili duket nisur nga java e ardhshme, me tubimin homazh në bulevardin qendror të Kryeqytetit, do përcjellë dhe njëherë mesazhin e forcës dhe paralajmërimin se s’ka hequr dorë nga dhuna. Me qëllim arritjen e një konsensusi brenda opozitës, Rama nxori zëdhënësin Preç Zogaj të informonte detajet e takimit në tryezën e opozitës, ku çuditërisht spikaste një qëndrim krejt i papritur i PS, lidhur me diskutimet për reformën zgjedhore.
Sipas Zogajt, “Partia Socialiste bindi aleatët të mos kushtëzojnë reformën zgjedhore me korrektimin kombëtar të sistemit rajonal proporcional. “U diskutua për çështje të sistemit, opozita është për nevojën e një sistemi të korrektimit proporcional kombëtar, por do të vazhdojë të kontribuojë, që kjo kërkesë të realizohet, pa u bërë pengesë për realizimin e kërkesave të tjera. Opozita do ngulmojë edhe për ndryshimin e sistemit, por kërkesat nuk janë kusht për të bllokuar procesin”, u shpreh moderatori i opozitës së bashkuar Preç Zogaj.
Ai vijoi më tej se në takimin e krerëve të opozitës, është rënë dakord që në programin e PS, të integrohen edhe pjesë të programit të partive aleate, si çështja e pronës apo ndërtimi i një modeli ekonomik me orientim prodhues.
Megjithatë, kuptohet se Rama s’do e mbajë fjalën as për korrektimin e sistemit zgjedhor, pasi fobia e tij janë partitë e vogla dhe aleancat politike. Karakteri i tij anti-politik lidhet ngushtësisht me shkretëtirën që mbizotëron në çdo aksion të opozitës, teksa si peshë balancuese Partia Socialiste dhe opozita e majtë, marrin dështimet elektorale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›