“Mjedra e Shqipërisë”, krijohet shoqata e parë për organizimin e fermerëve

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ “Dita e Mjedrës” mblodhi dje në Maqellarë të Dibrës fermerë, ekspertë dhe partnerë nga Shqipëria e Kosova, në një aktivitet që synoi promovimin e kultivimit të mjedrës, shkëmbimin e eksperiencave dhe prezantimin e praktikave më të mira për zhvillimin e këtij sektori.
Aktiviteti u fokusua te potenciali që ka kultivimi i mjedrës për fermerët shqiptarë, veçanërisht në zonat rurale, ku kushtet e klimës dhe tokës krijojnë mundësi të favorshme për prodhimin e frutave të pyllit.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau në rrjetet sociale pamje nga ky aktivitet.
Salla tha se “për herë të parë është regjistruar dhe certifikuar edhe shoqata “Mjedra e Shqipërisë”, një hap i rëndësishëm për organizimin e fermerëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori”.
Organizimi i fermerëve përmes kësaj shoqate pritet të krijojë një platformë më të qëndrueshme bashkëpunimi, duke ndihmuar në shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe njohurive teknike mes prodhuesve.
Mjedra bën pjesë në grupin e frutave të pyllit dhe po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje për shkak të vlerave ushqyese dhe kërkesës së tregut.
Përveç konsumit të freskët, mjedra mund të përdoret edhe në përpunimin e produkteve të ndryshme ushqimore, duke krijuar mundësi për rritjen e vlerës së prodhimit dhe diversifikimin e burimeve të të ardhurave për fermerët.
Pjesëmarrja e partnerëve nga Kosova në “Ditën e Mjedrës” krijoi gjithashtu mundësi për shkëmbimin e eksperiencave ndërkufitare, veçanërisht sa i përket teknikave të kultivimit, kujdesit për plantacionet, standardeve të prodhimit dhe orientimit drejt tregjeve.
“Dita e Mjedrës” në Maqellarë shërbeu si një mundësi për të vlerësuar potencialin e këtij fruti dhe për të nxitur më tej interesin e fermerëve për kultivimin e tij, ndërsa krijimi i shoqatës “Mjedra e Shqipërisë” pritet të japë një kontribut në organizimin dhe përfaqësimin e prodhuesve të këtij sektori.
1 nga 6/k.s/j.p/r.e/