E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjegull rreth Kosovës

Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s të enjten nuk ka diskutuar fare rreth kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore me përfaqësuese. Ndërkohë, udhëheqësit e futbollit kosovar nuk e dinë se a do të shqyrtohet kjo kërkesë e tyre sot, apo jo.

Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk e di nëse kërkesa e saj rreth lejimit të zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare me përfaqësuese është futur apo jo në agjendën e punimeve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.

Në fakt, mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s ka nisur të enjten në Zurich të Zvicrës dhe do të përfundojë të premten. Në ditën e parë, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s nuk ka diskutuar fare rreth asaj kërkese të palës kosovare.

Kjo është konfirmuar nga nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili këto ditë po qëndron në Zurich, bashkë me numrin një të futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Ndërkohë, Kosova nuk është përmendur fare as në raportin e publikuar në uebfaqen zyrtare të FIFA-s, të nxjerr nga mbledhja Komitetit Ekzekutiv të saj.

Madje, krerët e shtëpisë së futbollit kosovar thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë informacion nëse kërkesa e tyre do të diskutohet apo jo në ditën e dytë të punimeve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, të premten.

“Sot (e enjte) nuk është diskutuar rreth kërkesës sonë. Nuk e dimë nëse kjo çështje do të jetë në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s të premten. Kjo pritet të kuptohet të premten. Ne shpresojmë që Komiteti Ekzekutiv do ta shqyrtoj kërkesën tonë dhe presim një përgjigje pozitive”, deklaroi Ademi për Express të enjten mbrëma.

Ai tregoi se bashkë me Vokrrin, dhe me miçë tjerë të tyre, kanë lobuar tej mase në Zurich për disa ditë rresht me qëllim që kërkesa e tyre të futet në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe në fund të aprovohet.

Duhet theksuar se para nisjes së punimeve të Komitetit Ekzekutiv, të mërkurën është mbajtur mbledhja e Komitetit të Asociacioneve të FIFA-s, në të cilën është diskutuar rreth kërkesës së Prishtinës zyrtare. Mirëpo, ende nuk dihet nëse Komiteti i Asociacioneve i ka rekomanduar apo jo Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që të merret me këtë çështje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›