Mjekësi, Rektorati ul mesataren për specializimet
TIRANE-Të diplomuarit në fakultetin e Mjekësisë dhe që duan të specializohen në një profil të caktuar, këtë vit do të kenë më shumë shance. Tashmë, në garën për të fituar një vend për t'u specializuar mund të futesh edhe nëse e ke mesataren 7-të. Vendimi është miratuar nga rektorati i Universitetit të Tiranës, pas propozimit të mbërritur nga vetë fakulteti. Rektori i UT-së, Dhori Kule, shprehet se kjo nismë do të rrisë cilësinë e studentëve që do të pranohen për specializime, pasi në këtë mënyrë do të forcohet gara mes tyre. "Duke qenë se tashmë gara për t'u renditur në listën e fituesve të specializimeve të Mjekësisë zgjerohet, ngaqë për shkak të mesatares numri i pjesëmarrësve do të jetë shumë më i madh, pritet që edhe gara të jetë më e fortë, - ka shpjeguar rektori i UT-së, Dhori Kule. - Një faktor tjetër, që do të ndikojë në rritjen cilësore të kandidatëve që do të specializohen tashmë në profilet e ndryshme të mjekësisë, është edhe fakti se këtë vit, konkursi do të zhvillohet në rang departamenti, dhe në këtë mënyrë, shefat e shërbimeve do të angazhohen më shumë, pasi do të jenë të lidhur direkt me konkursin e përzgjedhjes së atyre që do t'u kalojnë stafetën", - ka shpjeguar Dhori Kule. Deri më tani, mesatarja ka qenë një kriter penalizues për ata që dëshironin të nisnin specializimet e Mjekësisë, pasi nuk pranoheshin kandidatët me mesatare të 6 viteve të shkollës së lartë, më të ulët se 8-të.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)