E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria heq taksën doganore për industrinë fason

01/04/2011  Këshilli i Ministrave zeron tarifën, nga 12.5 % që është aktualisht

Zerohet taksa doganore për mallrat e industrisë fason, nga 12.5 për qind që është aktualisht. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë masë të fundit fiskale të qeverisë, tha se ajo synon nxitjen e inkurajimin më të madh të kësaj industrie, ndër më të rëndësishmet për punësimin dhe eksportet. Dhe pse kreu i qeverisë pranoi se heqja e taksës doganore për fasonët, do të ketë ndikimet e saj të konsiderueshme në buxhetin e shtetit. “Qeveria vendos që tarifën doganore prej 12.5 për qind për mallrat e kësaj industrie ta bëjë zero. E vërteta është që buxheti i shtetit pëson një rrudhje. Natyrisht, nuk mund të themi se kjo nuk ka implikacione në buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër, kjo përbën një nxitje e inkurajim të madh për këtë industri dhe kam bindjen se në rast se këtë vit do të ketë një ndikim të caktuar jo të vogël në buxhetin e shtetit, vitin që vjen kjo do ta rikthejë këtë mungesë me dyfishin e saj, përveçse ka vlerë shumë të madhe, sepse rritet punësimi, jep një zgjidhje të madhe për punësimin”, theksoi kreu i qeverisë. Kjo industri, vijoi Kryeministri, ka bërë që prodhimet shqiptare të kenë treg të suksesshëm e të garantuar në mbarë Evropën e botën, si dhe pas shërbimeve, është ndër sektorët më kryesorë të punësimit në vend. Sipas tij, kjo industri deri vitin që kaloi ka përbërë 2/3 e eksporteve të vendit, ndërsa vitin që kaloi dhe ky vit kanë dëshmuar një ndryshim të madh. “Eksportet ‘Made in Albania’ kryesojnë dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv. Por industria fason ka një meritë ndofta më të veçantë se të tjerat dhe merita e saj është punësimi. Pa diskutim, pas shërbimeve, është ndër sektorët më kryesorë të punësimit në vend. Kjo industri me avancimet e saj, me fuqizimin, forcimin e zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale të vendit, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një industri eksporti i vendit, pra, eksporti ‘Made in Albania’”, tha Berisha. Heqjen e taksës për industrinë fason, Kryeministri e lidhi edhe me interesimin e pronarëve dhe sipërmarrësve që prodhonin në vendet arabe dhe që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri, duke e konsideruar atë si vendin me klimën më të përshtatshme për biznesin në Evropën Juglindor. “Kjo përbën një mundësi të madhe reale jo vetëm për fuqizimin e prodhimit, por edhe për punësimin e qytetarëve shqiptarë dhe luftën me efeciencë ndaj papunësisë”, deklaroi shefi i ekzekutivit, duke nënvizuar se Shqipëria mund të jetë i vetmi vend, që në një hark kohor dyvjeçar arrin të dyfishojë eksportet e saj.

Shpërblehet kombëtarja

Qeveria vendosi dje të shpërblejë financiarisht ekipin kombëtar të futbollit, pas fitores që ai arriti në ndeshjen e fundit me ekipin e Bjellorusisë, për turin eliminator për kampionatin evropian të futbollit. Kështu, lojtarët e ekipit kombëtar do të shpërblehen me 10 mijë euro, ndërsa kapiteni i ekipit, golashënuesi dhe trajneri i tij me 15 mijë euro. Vendimin e paralajmëroi menjëherë pas ndeshjes Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të partisë Demokratike, i cili e bëri atë publik dje në mbledhjen e qeverisë. Kreu i saj vlerësoi përballjen e fundit të ekipit kombëtar të futbollit ndër lojërat më të bukura të zhvilluara dhe shpërblimin të merituar. Kryeministri Berisha tha gjithashtu se ky shpërblim jepet edhe në respekt të qindra të rinjve, të cilët e ndjekin dhe janë shndërruar në mbështetjen morale të ekipit tonë kombëtar. Të shtunën e 26 marsit, Shqipëria fitoi në ndeshjen me Bjellorusinë me rezultatin 1 me 0.

Qeveria firmos marrëveshjen me Bankën Islamike

OK paktit 407 milionëdollarësh për tunelin e Kërrabës

Qeveria miratoi marrëveshjen me Bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Ajo ritheksoi vendosmërinë për të ndërtuar me përparësi këtë rrugë dhe tunelin e Kërrabës, si një vepër që jo vetëm do të shkurtojë distancën midis dy qyteteve, por do t’i integrojë ato pothuaj në një treg të vetëm. “Marrëveshja për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, tunelit të Kërrabës, është një vepër e rëndësishme, që shndërron distancën midis Tiranës dhe Elbasanit në një distancë më të shkurtër se Tiranë-Fushë Krujë dhe bën që këto dy qytete të shndërrohen pothuaj në një treg të vetëm. Kostoja totale e projektit është rreth 407 milionë dollarë, por gara e projektit që u bë ka dhënë një kursim të ndjeshëm dhe ne shpresojmë që edhe segmente të tjera do të shoqërohen me kursim. Në çdo rrethanë, qeveria është e vendosur të financojë këtë projekt me përparësi absolute, qindarkë për qindarkë”, deklaroi Berisha për këtë marrëveshje. Numri një i qeverisë tha se qeveria mbetet gjithashtu e angazhuar edhe për fillimin e ndërtimit të një tjetër vepre të rëndësishme infrastrukturore, tunelin e Qafë Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, projekti i të cilit është në përfundim e sipër. “Po bëhen verifikimet e fundit të shtresave të përbërjes gjeologjike, në mënyrë që të merret vistoja përfundimtare për tenderimin e të tij”, deklaroi ai.

Rishpërndarje fondesh

Në buxhetin e miratuar për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për vitin 2011, në programin “Mbështetje për mbikëqyrjen e tregut, infrastrukturën e cilësisë dhe pronësinë industriale”, në zërin “Shpenzime korente”, qeveria vendosi dje të shtohet fondi prej 7 000 000 lekësh, i ndarë përkatësisht: 5 milionë lekë për Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, në zërin “Shpenzime korente”, dhe 2 milionë lekë për Drejtorinë e Përgjithshme të Markave dhe Patentave, si fond limit në zërin “Shpenzime korente” me burim financimi nga të ardhurat. Kjo shumë të përballohet nga pakësimet e fondeve në programin “Mbështetje për burimet natyrore”, nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, në zërin “Shpenzime për pagat” me burim financimi nga të ardhurat. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave për zbatimin e këtij vendimi për rishpërndarjen e fondeve.

Ndryshon fondi për përmbytjet në Shkodër

Qeveria miraton 295 milionë lekë për argjinaturën

Miratohet fondi financiar prej 295 029 876 lekësh për përballimin e situatës emergjente të krijuar në qarkun e Shkodrës, si pasojë e përmbytjeve natyrore. Ky fond do ndahet si më poshtë: 270 000 000 lekë për blerjen nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të bazës ushqimore (koncentrat e bar i thatë), për periudhën janar – mars 2011; 25 029 876 lekë për kryerjen e punimeve emergjente në disa objekte (argjinatura) për mbrojtjen nga përmbytja. Gjithashtu qeveria ka përcaktuar që fondi në fjalë, prej 295 029 876 lekësh, të përballohet si më poshtë: 125 029 876 lekë nga KESH, sh.a., për Ministrinë e Brendshme, në programin “Emergjenca civile”; 170 milionë lekë nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë. Po sipas vendimit të djeshëm, i cili ndryshon vendimin nr. 51, datë 26.1.201, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nga Fondi i Mbështetjes për Bujqësinë, artikulli 606 “Transferta në buxhetet familjare”, të kryejë rialokimin në artikullin buxhetor 602 të shumës prej 170 milionë lekësh, e cila të përdoret nga aparati i ministrisë për përfundimin e pagesave të detyrimeve, për blerjen nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të bazës ushqimore për periudhën janar – mars 2011.

Qeveria i jep 4 000 m2 myftinisë së Korçës

Qeveria shqiptare vendosi të kalojë sipërfaqen prej 4 000 m², pronë shtetërore, në fondin e kompensimit fizik dhe kompensimin e komunitetit mysliman shqiptar, te myftinia Korçë. Propozimi është bërë nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, dhe parashikon “kalimin në fondin e kompensimit fizik të truallit, pronë shtetërore, me sipërfaqe 4 mijë m², të ndodhur në Korçë, në zonën kadastrale 8563, e përbërë nga prona me numër pasurie 4/41, sipas planit të rilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi, e cila, në përputhje me ligjin nr. 9 235, datë 29.7.2004, ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’, të ndryshuar, vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas verifikimit përfundimtar të pronësisë së truallit për fondin e mësipërm, e përdor atë për kompensimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, myftinia Korçë, sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe kryeregjistruesi i ZQRrP-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›