E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët dhe mësuesit, zbardhet rritja e diferencuar e pagave

Zbardhet struktura e re e pagave për të gjitha kategoritë e policëve. Tabela e detajuar e rritjes për mjekët e shërbimit sipas rasteve konkrete

Rriten ndjeshëm pagat e arsimtarëve. Disa ndryshime në Vendimin nr. 194, datë 22.4.1999. Punonjësit mësimorë efektivë që, për nevoja të procesit mësimor, japin orë mësimi mbi normën e lejuar mësimore, paguhen për çdo orë mësimore shtesë në masën: 300 lekë në shkollat e mesme dhe 250 lekë në shkollat 9-vjeçare. Punonjësit e jashtëm, të specialiteteve të ndryshme, që japin mësim në shkollat e mesme, në shkollat teknike e profesionale, si dhe në kurset e ndryshme (me përjashtim të kurseve që ngrihen pranë shkollave të larta dhe institucioneve të tjera të kualifikimit të punonjësve mësimorë), për çdo orë mësimore shpërblehen në të njëjtën masë me punonjësit mësimorë efektivë, si më sipër. “Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet buxhetore të vitit 2009, të parashikuara për rritjen e pagave”.
Në lidhje me pagën e mjekëve, “Albania” boton tabelën e plotë të kësaj rritjeje sipas nivelit dhe orarit të shërbimit të tyre.
Policia
Punonjësi i Policisë së Shtetit, që pranohet në shkollën bazë të policisë, gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë në masën 60 për qind të pagës së gradës “nëninspektor” kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 100 për qind të pagës së po kësaj grade kur ka përfunduar arsimin e lartë. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që kryen kurse shkollimi ose trajnimi, brenda ose jashtë vendit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit përfiton pagën mujore të vendit të fundit të punës, para fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Pagesa bëhet nga struktura e policisë, ku ka qenë efektiv përpara fillimit të shkollimit/trajnimit. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe, përfiton një pagë sipas nivelit të mësimdhënies. Për kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit zbatues, në masën 300 (treqind) lekë/për orë; në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të parë drejtues, në masën 400 (katërqind) lekë/për orë; në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të mesëm drejtues, në masën 500 (pesëqind)
Oficerët
Vendimi i qeverisë ka parashikuar dhe trajtime të veçanta financiare të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues, të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare, në pension si dhe trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të disa ndërmarrjeve ushtarake. “Rritjen në masën 10 për qind të trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë. Rritjen në masën 4 për qind do ta marrin edhe të gjitha përfitimet e përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, kur caktohen pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por me datë fillimi deri në 30.4.2009, përfshirë edhe këtë datë. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi e që llogariten në shumën 93 000 000 (nëntëdhjetë e tre milionë) lekë, të përballohen nga fondi i kontingjencës, në buxhetin e vitit 2009, caktuar për rritjen e pensioneve. Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sh.a., për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 maj 2009”, - përcakton vendimi i dy ditëve më parë i qeverisë.

Rritja e pagave dhe pensioneve 50 ditë para datës së zgjedhjeve

Dy muaj para datës së zgjedhjeve, qeveria shqiptare ka miratuar një paketë të plotë për rritjen e pagave dhe pensioneve në fshat dhe qytet. Rritja në fjalë është e pakrahasueshme me të gjitha hapat e ndërmarrë më parë nga qeveritë në këtë drejtim, jo vetëm se ajo vjen në një kohë krize ekonomike ndërkombëtare, por edhe sepse ajo është miratuar si një paketë e gjerë, ku përfshihen të gjithë punonjësit shtetërorë dhe të gjitha kategoritë e pensionistëve. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë paketë, e konsideroi atë një nga arritjet më të mëdha të qeverisë dhe përmbushje të premtimit dhe programit të saj. “Nga data 1 maj e tej të nisë rritja e pagave dhe pensioneve, në përputhje me premtimet e dhëna nga qeveria shqiptare dhe maxhoranca aktuale në pranverën e viti 2005. Për mua dhe për të gjithë ne, së bashku, është një nga arritjet më të mëdha të karrierës sonë politike, pasi ne ia dolëm në përputhje me premtimet dhe programin të vendosim sot për dyfishimin e pagave të 44 mijë punonjësve të arsimit, krahasuar kjo me 4 vite më parë”, - u shpreh kryeministri.
Kryeministri Berisha njoftoi rritjen e pagave dhe të pensioneve sipas kategorive dhe konkretisht: Paga në sektorin e shëndetësisë, mjekë dhe infermierë, dyfishohet. “Paga mesatare për rreth 104 mijë punonjës buxhetorë, nga 273 mijë lekë që ishte në pranverën e vitit 2005, kalon në 459 mijë lekë në muaj, ose 68 për qind më e lartë. Pagat e zyrtarëve të lartë nuk rriten, por mbeten ato që janë. Duke arritur një pagë të tillë mesatare ne kalojmë qartësisht me mbi 30 për qind pagën mesatare të dy vendeve anëtare të BE-së dhe barazohemi me tre vendeve të tjera. Natyrisht, bëhet fjalë për vende ish-komuniste. Paga e mësuesve të arsimit parauniversitar, nga një pagë prej rreth 230 mijë lekësh kalon në rreth 460 mijë lekë, pra 100 për qind më e lartë se në vitin 2005. Paga e punonjësve të infermierisë, nga një pagë prej 150 mijë lekësh kalon në 310 mijë lekë, pra 100 për qind më e lartë se në vitin 2005”, - u shpreh dje plot entuziazëm Berisha, vetëm pak çaste pasi kishte firmosur paketën në fjalë, të përgatitur nga Ministria e Financave.

Mjekët e shërbimit 24 orë, rritja e pagës sipas llojit të shërbimit

Për çdo shërbim roje 24 orë, pa ndërprerje, u jepet shpërblim në masën e mëposhtme:

Në qendrat spitalore universitare:
Mjek roje i parë Mjek roje i dytë
- për ditët e zakonshme 3 500 3 300
- për ditët e shtuna 3 900 3 700
- për ditët e diela e festat 4 300 4 100

Në institucionet e tjera:
Mjek roje i parë Mjek roje i dytë
- për ditët e zakonshme 3 300 3 100
- për ditët e shtuna 3 700 3 500
- për ditët e diela e festat 4 100 4 000

Për shërbimin e urgjencës së rrethit, të organizuar dhe që funksionon si i tillë, u jepet, për kohën që kryejnë shërbimin e urgjencës, një shpërblim, në masën e mëposhtme:

Në ditët e zakonshme Në ditët e shtuna Në ditët e diela
- për sistemin 24 orë 3 000 3 200 3 400
- për sistemin 16 orë 2 800 3 000 3 600
- për sistemin 12 orë 2 400 2 600 2 800

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›