E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate të ashpra në KQZ për regjistrimin e Partisë Socialiste

Përjashtohen katër parti nga kandidimi në zgjedhje

Socialistët dhe demokratët kanë zhvilluar debate të ashpra gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Qendror Zgjedhor. Përfaqësuesi i Partisë socialiste në KQZ, Genc Gjoncaj, kërkoi që sigla e kësaj partie në listën e partive që do të marrin pjesë në zgjedhje të shënohet thjesht “PS” dhe jo “PSSH”. Por kjo kërkesë është rrëzuar nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Niazi Kosovrasti. Ky i fundit këmbënguli që KQZ-ja të zbatojë vendimin e Gjykatës, në të cilin sigla e Partisë Socialiste është vendosur “PSSH”. Në përfundim të debatit propozimi i PS-së u miratua me 4 vota pro bashkë me votën e kryetarit Arben Ristani.
Gjatë mbledhjes së djeshme KQZ-ja miratoi listën me 34 partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e qershorit, ndërkohë që pezulloi 4 parti, të cilat nuk kishin plotësuar dokumentacionin e nevojshëm.

Dje, në orën 24, përfundoi afati i dorëzimit të dokumentacioneve. Kodi Zgjedhor ka përcaktuar se afati i fundit i partive konkurruese është 60 ditë para zgjedhjeve. Ditën e hënë numri i partive të regjistruara ishte 30, ndërsa dje numri i tyre shkoi në 34. Dje janë regjistruar edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, Demokracia Sociale, socialdemokratët dhe Partia Republikane si dhe partia më e re G99. Në listën e partive konkurruese përfshihen 8 parti, që janë aktualisht të përfaqësuara me deputetë. Në garën zgjedhore të qershorit do të jenë edhe Partia Ligj dhe Drejtësi, me kryetar Spartak Ngjelën, Partia Lidhja Demokristiane e Shqipërisë, e drejtuar nga Nikoll Lesi. Dy forcat e mëdha politike kanë zgjedhur javën e kaluar për t’u regjistruar. Partia Demokratike është regjistruar më 21 prill, ndërsa Partia Socialiste është regjistruar më 24 prill. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh dje për të vendosur përfundimisht numrin e saktë të partive që do të konkurrojnë. Numri i partive konkurruese u vendos pas shqyrtimit të dokumentacionit nga ana e KQZ-së. Më 15 maj është afati i fundit i paraqitjes së listës së kandidatëve. Sipas Kodit Zgjedhor kandidatët që do të konkurrojnë për deputet duhen të regjistrohen jo më vonë se 45 ditë nga data e zhvillimit të zgjedhjeve. Partitë politike nuk e kanë plotësuar ende listën e kandidatëve për deputetë. Ndërsa regjistrimi i koalicioneve bëhet 40 ditë para zgjedhjeve. Partitë politike, edhe pse nuk kanë filluar të regjistrohen në KQZ, kanë shprehur koalicionet me të cilat ato do të grupohen. Në bazë të Kodit Zgjedhor, partitë më parë duhet të regjistrohen si subjekte politike më vete dhe pastaj si koalicion zgjedhor. “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas Nenit 64 të Kodit, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Paritë politike kanë çuar në KQZ edhe emrat e përfaqësuesve të tyre pranë KQZ-së. Partia Demokratike ka vendosur që të ketë si përfaqësues të saj Niazi Kosovrastin. Partia Socialiste ka dorëzuar dy emra për ta përfaqësuar: Fatmir Muçajn dhe Enrik Skëndajn.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›