Mjekët e Korçës protestojnë pas dhunimit të kolegut
Ashtu siç ishte njoftuar, bluzat e bardha në qytetin e Korçës kanë ndërprerë sot shërbimin përkundrejt pacientëve. Ata kanë protestuar, pas rastit kur mjeku pneumolog Thoma Nini është qëlluar nga një pacient në mënyrë të befasishme.
Hajdar Bregu, 61 vjeç, i ka kërkuar mjekut të vizitohet dhe të dalë në KEMP, por mjeku Nini, njëkohësisht edhe kryetar i komisionit të KEMP-it, e ka refuzuar kërkesën e tij pasi pacientit i duheshin edhe disa ditë të tjera qëndrimi në spital nën kontrollin e mjekëve.
Ky refuzim për KEMP ka bërë që pacienti Bregu të qëllojë me karrige pas koke mjekun 57-vjeçar, ndërkohë që po kryente vizitë të një pacienti tjetër.
Mjeku Thoma Nini ka marrë tri plagë në kokë dhe është kryer qepja e tyre pasi plagët kanë qenë të mëdha.
Sipas mjekëve në qytetin e Korçës rastet e dhunimit të bluzave të bardha janë të përsëritura.
Ata pohojnë se protesta e zhvilluar sot është një apel për më tepër siguri gjatë ushtrimit të profesionit.
Policia ka arrestuar pacientin 61-vjeçar mbi të cilin rëndon akuza e goditjes për shkak të detyrës.