Kultura jonë e vdekjes
Mosvlerësimi i jetës ndër shqiptarë. Feja, besimi dhe shoqëria e dy epokave. Femra shqiptare, shqipja standarde dhe një udhëtim nëpër historinë e re, me zëdhënësin e artikuluar dhe erudit të Kishës Katolike, Dom Gjergj Metën
Nga Skerdilajd Zaimi, Revista Klan
Për Zotin, familjen, historinë dhe besimin. Dom Gjergj Meta, zëdhënës i Kishës Katolike flet në këtë intervistë për problemet kryesore të shoqërisë, të ngritura në nivelin e një debati publik që jo rrallëherë e ndan shoqërinë në kampe të ndryshme. Si një njeri që mban uniformën e klerikut, por edhe një qytetar i angazhuar me shkrime apo pjesëmarrje në diskutimin publik, Dom Gjergji shprehet edhe sa i përket temave të tilla të ndjeshme si gjuha shqipe dhe vendi i gegnishtes në historinë e normës, marrëdhënia e katolicizmit shqiptar me fashizmin. Të gjitha të përcjella pa fshehur preferencat, por edhe pa humbur objektivitetin. Një vlerësim për figurën e femrës shqiptare mbetet një ndër gjërat më interesante të intervistës, e cila mbyllet me gykimin personal ndaj vendit që Ismail Kadareja zë në letërsinë shqiptare, e plotësuar prej këtij të fundit me tema historike nga lëmi i mesjetës kristiane shqiptare.
-Dom Gjergji do të ishte mirë të nisej me problemet e sotme, madje të ditëve të fundit të shoqërisë shqiptare. Një valë aktesh kriminale kanë mbërthyer vendin duke krijuar një psikozë se anormaliteti po sundon në këtë vend. Mendoni se kjo është pasojë e një kulture që po hedh rrënjë e që sfidon dhe misionin e besimit dhe fesë?
Mund të them me plot bindjen se një situatë e tillë e përshkruar në pyetjen tuaj i ka rrënjët te promovimi shpesh i pavetëdijshëm për masat, e i vetëdijshëm për të tjerë, i një kulture vdekjeje. Një kulturë vdekjeje ka në thelbin e saj nënçmimin apo mospërfilljen e jetës në të gjitha stadet apo fazat e saj: nga ngjizja deri në vdekje. Një mosvlerësim i tillë i jetës sigurisht shfaqet edhe në dukuri të tilla kriminale sikurse është vdekja për hakmarrje, për një varëse, për larje hesapesh etj. Kjo kulturë nuk sfidon vetëm misionin e besimit dhe fesë, por vetë Zotin. Janë dy vlera të përdhosura: dashuria dhe nderimi ndaj Zotit që është dhënësi i jetës dhe i vetmi që ka tagër mbi të e po ashtu dashuria dhe përkushtimi ndaj tjetrit si unë të cilin Zoti e ka vënë përkarshi meje dhe unë kam për detyrë ta mbroj. Nuk është më pak e trishtë as vdekja e shkaktuar nëpërmjet abortit apo eutanazisë. Genocidi që ndodh nëpër klinika abortive apo nëpër spitale ku lihen njerëzit të vdesin nganjëherë edhe me vullnetin e të afërmve nuk është më pak i rëndë se ai që ndodh për larje hesapesh apo për shkaqe të tjera kriminale. Nëse pra nuk fillojmë nga një edukim për jetën, edukim i cili e vlerëson jetën nga çasti i ngjizjes deri në atë të vdekjes, sikurse kanë theksuar edhe ipeshkëvinjtë katolikë të Shqipërisë në letrën e tyre për 100 vjetorin e Pavarësisë, Fides et Patria, gjithnjë e më shumë do të shohim skena të tilla që sigurisht shqetësojnë thellësisht jetën dhe cilësinë e jetës në vendin tonë.
-Ju jeni një klerik i ri në moshë, por një pjesë e edukimit tuaj është krijuar në kohën e komunizmit. Mendoni se normat e edukimit social asokohe, me aksionet, ngritjen dhe stimulimin e diskutimit dhe frymës së kolektivit janë modele prej të cilave ka se çfarë të marrësh si pozitive?
Vullnetarizmi, stimulimi i diskutimit, fryma komunitare janë vlera gjërësisht të ndara në botën e krishterë e sigurisht kanë qenë dhe janë gur themeli për kulturën dhe ngrehinën europiane e sit ë tilla kanë qenë përpara formulimit të tyre marksist. Por këto ndryshojnë thelbësisht nga aksionet, diskutimet (diskretitimet) dhe fryma kolektive e asaj kohe të zymtë komuniste, pasi të vendosura në themele krejtësisht të gabuara e si të tilla nuk mund të merren fare si etalon veprimi. Ai sistem ka qenë thelbësisht i kalbur në vlera, absolutisht antinjeri dhe i ngritur mbi premisa të gabuara. Gjithçka në atë sistem bëhej për të nxjerrë në pah luftën e klasave e diçka që ngrihet mbi një luftë dhe ka në themel një luftë është absolutisht e papranueshme. Prandaj mund të them se nga ato modele nuk ke çfarë të marrësh asgjë pozitive, por përkundrazi duhet të ruhemi.
-Dom Gjergji, sipas jush cili është ndryshimi që ka ndodhur te femra shqiptare në kalimin e dy kohëve; para dhe pas 90-ës?
Po përpiqem të them diçka edhe pse më rezulton e vështirë, pasi është një temë që kërkon thellim. Mendoj që kemi kaluar nga konceptimi i një gruaje të emancipuar në emër të Partisë, në konceptimin e një gruaje që merr në dorë fatet e veta, një grua më e lirë, me më shumë mundësi për tu përfaqësuar dhe për të ngritur zërin. Këto janë aspekte pozitive, pasi gruaja ka qenë për shumë kohë e dhunuara e mendësisë maskiliste dhe patriarkale. Thënë kjo mendoj se gjithnjë e më shumë koha aktuale e shikon gruan si një mall për tu shitur: shiko sa vend zënë gratë në publicitet, në reklamë, në spote të ndryshme, pornografia etj. Nga ana tjetër kam përshtypjen se gjithnjë e më shumë modernizmi po shkatërron aftësinë amësore të gruas. Një pjesë e madhe e grave e shikojnë realizmin e tyre në të qënit thjesht femër, shpesh duke përjashtuar të qenit nënë apo bashkëshorte. Aspekti amësor duhet evidentuar dhe stimuluar edhe me politikat që duhet ti lënë më shumë hapësirë femrave për të qenë pranë familjeve të tyre dhe për të edukuar fëmijët. Askush si nëna nuk është edukuese e përsosur dhe bashkë me bashkëshortin e saj duhet ti bëhen fëmijës shembull jete, besimi dhe njerëzie. Dhe këtu mendimi im shkon te shumë nëna shqiptare që si të tilla kanë rritur e edukuar familje të mëdha e me shumë fëmijë. Janë një shembull heroik që përbën një kontrast të jashtëzakonshëm me modelet e gruas që servirin telenovelat, apo modelet e femrës moderne e cila preferon të jetojë feminilitetin e saj më shumë sipas modeleve egoiste të një lloj feminizmi përjashtues të çdo vlere tradicionale dhe themeluese të familjes së ngritur mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje.
-Në vitin 1944 në Shqipëri triumfoi Partia Komuniste. Pse ndodhi kjo sipas jush? I bashkoheni tezës së Arshi Pipës që flet për një konvertim të dhunshëm të trashëgimisë bizantine toske në një pëlhurë politike komuniste?
Nuk e kam lexuar këtë ide të Arshi Pipës të artikuluar. Por mendoj që ardhja e komunizmit në Shqipëri ka një kompleksitet faktorësh të brendshëm (varfëria, aktivizmi komunist, injoranca) dhe të jashtëm (gjeopolitika që u krijua me kapitullimin e fashizmit). Mendoj që këtu duhen studime më të specializuara dhe të karakterit historik që të thuash diçka ashtu si duhet. Di vetëm që gjyshit tim, një fshatar pa shkollë, por shumë punëtor i ka ardhur keq kur i k