Mjekët e poliklinikave zhvatin pacientët, asnjë vizitë pa 2 mijë lekë ryshfet
Kushtet në poliklinikat e lagjeve të kryeqytetit lënë shumë për të dëshiruar. Këtë e vërtetojnë jo vetëm dyert pa doreza, e mungesa e theksuar e mjeteve në dhomat e mjekimit por edhe muret e lagështa që për vite të tëra jo vetëm që nuk janë lyer por mbi to nuk
ka vënë dorë njëri për ti rikonstruktuar. Në një vëzhgim të kryer ditën e djeshme nga gazeta SOT mungesën e kushteve në disa poliklinika të kryeqytetit e kanë theksuar edhe vetë mjekët e infermierët të cilët në të shumtën e rasteve i dërgojnë pacientët për tu mjekuar në Qendrën Spitalore Universitare. Por një tjetër problem i cili duket sikur është ulur këmbëkryq në poliklinikat e lagjeve kudo në Tiranë është ryshfeti pa të cilin vetë mjekët e infermierët nuk kryejnë asnjë vizitë. Shuma e cila merret nën dorë nga mjekët e që zakonisht nuk refuzohet nga këta të fundit varion nga 2 mijë deri në 5 mijë lekë të vjetra. Këtë e kanë konstatuar vetë pacientët të cilët përveçse duhet të paguajnë nën dorë për vizitat apo mjekimet tek mjekët e familjes por duhet ti presin ata për orë të gjata mbrapa dyerve. Sipas një qytetari ai vizitohet tek mjeku rreth tre herë në muaj dhe është e pashmangshme dhënia e ryshfetit sepse në të kundërt mjekët të anashkalojnë e ka raste kur e shtyjnë vizitën me ditë të tëra. Në shumë raste, kur ka persona që nuk ju japin para mjekët neglizhojnë e flasin gjithë kohën në telefon ose ta shtyjnë vizitën me orë të tëra, por ka edhe nga ata mjekë që të krijojnë me dashje probleme, vetëm e vetëm që tu futësh ndonjë 2 mijë leksh në xhep tha dje për gazetën një qytetar në poliklinikën nr 2. Sipas këtij qytetari edhe pse është folur shpesh për ndalimin e korrupsionit në poliklinika ndaj këtij fenomeni nuk është marrë asnjë masë, dhe kjo vjen duke u shtuar ditë për ditë. Ndërkohë një tjetër paciente e poliklinikës së specialiteteve ka deklaruar ditën e djeshme se përpara disa javësh ka qenë vetë një nga infermieret e kësaj poliklinike që i ka thënë se ajo do ta ndihmonte gjithmonë nëse lidhej me të. Më mori në zyrë veç dhe më tha që do më ndihmonte gjithmonë nëse lidhesha gjithmonë me të, pastaj nisi të fliste se infermieret në poliklinika nuk paguheshin dhe e kishin rrogën shumë të ulët, më zuri shumë ngushtë u detyrova që ti jepja një 2 mijë leksh, por ky është turp i madh, që këta punonjës të shohin për ryshfete edhe nga xhepat e pensionistëve ka thënë ditën e djeshme për gazetën qytetarja 60 vjeçare. Por ky fenomen jo pak raste është dënuar edhe nga vetë Ministri i Shëndetësisë i cili ka dënuar me tone të ashpra mjekët e infermierët që marrin ryshfet. Por edhe pse deklaratat kanë qenë vërtet të forta asnjë masë nuk është marrë ndaj mjekëve. Një tjetër problematikë jo vetëm për pacientët por edhe për vetë mjekët janë edhe kushtet e poliklinikave të cilat janë në gjendje të mjerueshme. Sipas mjekëve të poliklinikave, në shumicën e poliklinikave nuk është investuar si në aparatura ashtu edhe në infrastrukturë. Ndërkohë që asnjë prej qendrave shëndetësore nuk disponon një kompjuter apo internet, ku mjekët të punojnë apo të njihen me të rejat më të fundit. Sipas tyre shumicën e mjeteve i gjejnë në mënyre personale. Ndërsa porsa i përket fondeve për këto poliklinikave kanë qenë vetë mjekët që kanë deklaruar ditën e djeshme se edhe pse vetë Ministri Vasili ka dalë në deklarata se do të jepte fonde për rikonstruksionin e poliklinikave këto fonde duken sikur janë ngrirënë njëfarë mënyre nga vetë Ministria. Mjekët e poliklinikave kanë deklaruar gjithashtu se pagesat janë tejet të pamjaftueshme për profesorët të cilët sipas tyre duhet të punojnë vetëm në qendrën spitalore e jo më në poliklinika.
Arta AGOLLI