E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat e ambulancës në Memaliaj jepen me qera, të sëmurët transport me taksi

Të sëmurët me probleme akute shëndetësore në Memaliaj, detyrohen të transportohen me mjete private, si pasojë e mungesës së autoambulancave. Mungesa e këtyre të fundit në qendrën spitalore të qytetit të minatorëve, ka shkaktuar anomali në shërbimin mjekësor për gjithë banorët e zonës duke u kthyer gjegjësisht në një problem adekuat për ta. Si një prej qendrave

të vetme në pjesën verilindore në rrethin e Tepelenës duke mbuluar njëkohësisht edhe zonat rurale përreth, prej katër muajsh shkurtimet në personel, kanë suprimuar vendet e dy shoferëve që ishin në dispozicion të ndihmës së shpejtë për rastet emergjente. Automjeti autoambulancë që ishte në dispozicion të njerëzve deri para pak muajve, si për ironi të fatit, është marrë me qera nga një kasap nga fshati Qesarat i cili transporton gjedh dhe gjënë e gjallë në destinacione të ndryshme në varësi të kërkesës së konsumatorëve të mishit. Në kushte të tilla e vetmja mënyrë për hallexhinjtë që iu pllakos ndonjë rast sëmundje akute, iu duhet të marrin taksi apo të gjejnë mënyra të tjera me mjete private për të zgjidhur problemet e transporteve për të sëmurët në drejtim të spitalit të Tepelenës, Memaliajit apo dhe të Gjirokastrës. Për mjeken patologë në qendrën shëndetësore të Memaliajit  Zeno Jakaj, mungesa e autoambulancave ka krijuar probleme. Vetëm tre raste të apendicitit akut që kanë ardhur nga zonat e largëta të Tepelenës, janë sjellë në gjendje të rëndë si pasojë e vonesës në gjetjen e mjeteve në këto zona duke krijuar rrezikshmëri jetike për vetë pacientët-shprehen mjekët në Memaliaj duke u shprehur se përballen përditë me rrezikun e jetës së njerëzve. Qendra shëndetësore në qytetin e Memaliajit mbulon një numër të konsiderueshëm banorësh ku përveç 7 mijë banorëve të qytetit, detyrohet të trajtojë edhe pacientë nga fshatrat përreth. Për mjeken Zeno Jakaj, heqja e mjeteve të ndihmës së shpejtë, ka qenë krejtësisht e paarsyeshme pasi qendra shëndetësore e Memaliajit, është e rëndësishme për vetë vendndodhjen mjaft afër aksit nacional Memaliaj-Mallakastër-Fier dhe si e tillë rastet emergjente nuk kanë munguar. Ajo shprehet se kohën e turnit e përjeton me frikë pasi ka patur mjaft raste ku për shkak të mungesës së mjeteve, pacientët kanë rrezikuar jetët e tyre. Më pas vetëm me anë të automjeteve të siguruara nga vetë familjarët e tyre, kryhet një rikoverim i lehtë e më pas për rastet e rënda, përcillen në drejtim të spitalit të Tepelenës apo të Gjirokastrës. Nga ana tjetër qytetarët që vijnë pranë kësaj qendre, kërkojnë me çdo kusht vendosjen e autoambulancës pasi jo të gjithë janë në gjendje të përballojnë kostot e transportit privat.

T. Hoxha

Last Updated on E Marte, 27 Prill 2010 20:51

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›